Shumë të krishterë po preferojnë aplikacionet në vend të kishave, një eksperiencë të personalizuar të fesë krahasuar me doktrinën, intimen përballë publikes… Ky fakt ka ngritur shumë pikëpytje për të ardhmen e besimit më të madh fetar në mbarë botën.

 

Nëntë vite më parë kleriku Pete Phillips, Drejtor i Qendrës së Kërkimeve  për Teknologjinë Digjitale në Universitetin e Durhamit, u nxorr jashtë Katedrales së qytetit. Ai ishte duke lexuar Biblën në celularin e tij. Telefonat ishin të ndaluar në vendin e shenjtë dhe personi që e nxorri jashtë kishës nuk do ta besonte kurrë,  se për çfarë po e përdorte celularin. Tashmë lejohet që njerëzit të shkrepin fotografi dhe të përdorin telefonat në kishë për arsye devotshmërie.  Kjo sjellje ka ndryshuar, pasi t’u ndalosh njerëzve celularët është njësoj sikur t’u presësh krahët.

 

Rritja e numrit të aplikacioneve dhe rrjeteve sociale po ndryshon mënyrën e besimit të dy miliardë të krishterëve.

 

Pjesa më e madhe e kishave kanë një qasje krejt tjetër në lidhje me përdorimin e celularit, krahasuar me pak vite më parë.  Bibla e celularit po zëvendëson librin e Biblës. Tashmë priftërinjtë kanë llogari në Tweeter, profil në Facebook dhe disa prej tyre janë peshkopë blogerë.

 

 

Pranimi i smartfonëve dhe mediave sociale është i pashmangshëm. Ato po ndryshojnë mënyrën se si besimtarët praktikojnë fenë e tyre. Shumë njerëz të cilët lundrojnë në internet brenda kishave kristiane, zakonisht janë duke parë aplikacionin e Biblës të quajtur YouVersion, i cili është instaluar më shumë se 260 milionë here në mbarë botën që prej lançimit të tij në vitin 2008. Aplikacione të ngjashme ekzistojnë dhe për Kuranin.

 

“Një nga gjërat e para që bënë të krishterët me kompjuterin ishte hedhja e Biblës në formatin digjital”,- thotë Phillips.  Kjo Bibël e digjitalizuar më vonë u përshtat dhe për celularë.

 

Sipas kompanisë së aplikacionit YouVersion, njerëzit shpenzojnë më shumë se 235 miliardë minuta duke përdorur këtë aplikacion dhe kanë nënvizuar 636 milionë vargje. Por, të lexosh Biblën në këtë mënyrë mund të ndryshojë sensin e njerëzve për të.

 

Rrjetet sociale kanë decentralizuar aktivitetet fetare. Për disa besimtarë,tashmë nuk është më e nevojshme të fusin këmbën në kishë.  Sipas një sondazhi të Qendrës së Kërkimeve PEW në Shtetet e Bashkuara, një në pesë persona të identifikuar si katolikë dhe një në katër protestantë nuk kanë marrë pjesë kurrë  ose kanë marrë pjesë shumë pak në shërbimet e organizuara fetare.

 

Aplikacionet dhe mediat sociale lejojnë një lidhje private të besimit ndërmjet personit dhe ekranit të celularit. Aftësia dhe mundësia për të zgjedhur atë ç’ka duan shmang doktrinën.

 

“Njerëzit po kërkojnë një eksperiencë më të personalizuar të fesë”, – shprehet Heidi Campbell nga Universitetit i Teksasit, e cila studion besimin fetar dhe kulturën digjitale.

 

“Interneti dhe mediat sociale  ndihmojnë njerëzit  të merren me besimin në mënyrë më konkrete. Njerëzit kanë më shumë akses në shumë informacione dhe mund të krijojnë një shteg dhe ritëm shpirtëror më të personalizuar”, – thotë Campbell. “Njerëzit e përdorin internetin për të provokuar debate në lidhje me fenë dhe besimet e afirmuara”.

 

“Ka ende shqetësim se postimet e shkurtra nuk janë mënyra e duhur për të përfaqësuar konceptet komplekse dhe delikate. Në video paksekondëshe dhe statuse me pak fjalë, je i detyruar të kondensosh mendimet”, – thotë Campbell. “Tendenca është që mesazhet të jenë më të thjeshta dhe sterotipe”.

 

 

Besimi i të gjitha feve, jo vetëm i krishtërimit, po bëhet gjithnjë e më pak nëpërmjet predikimit të klerikëve.

 

Njerëzit kanë pritshmëri të caktuar se si duket një komunitet fetar dhe sa liri ato kanë dhe institucionet fetare kanë dy rrugë; ose të përshtaten me të ose të mbeten një përjashtim.

 

Krishtërimi ka “rishpikur” dhe përshtatur doktrinën e tij për afro 2.000 vjet. Smartfonët dhe mediat sociale janë zhvillimi më i fundit që mund të imponojnë një ndryshim të ri.

 

Përshtati në shqip nga BBC: Gerta Banushi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *