Subscribe

Para, bileta për stadium dhe afera seksuale. Këto ishin format e pagimit të pacientëve shqiptarë, të cilët donin që të përfitonin shërbime shëndetësore të kushtueshme në spitalet publike në Itali.

 

Mediat e vendit fqinj, duke iu referuar dosjes së prokurorisë anti-mafia, kanë arritur që të zbërthejnë rolin dhe aktivitetin kriminal ku ishin përfshirë mjekë, infermierë dhe biznesmenë nga të dyja vendet.

 

Gjithcka nisi nga përgjimi i telefonatës së biznesmenit shqiptar Ndue Pulaj, i cili duke folur me një grua i tha se ‘këtu bëjmë gjithçka për të njohurit’, duke iu referuar spitaleve të Milanos.

Përgjimet kanë nxjerrë në dritë edhe falsifikimet e certifikatave dhe lejet për emigrantët shqiptarë, të cilët përfitonin shërbime të shtrenjta në sistemin shëndetësor në Lombardi.

 

Pas sigurimit te provave, gjykata italiane ka urdhëruar arrestimin e Davide Luigi Vergani, Domenico Paternò dhe Domenico Carriero.

 

Në arrest janë vendosur edhe shqiptarët Stela Papa, Vjollca Purashai, Ndue Pulaj, Gentian Iljazi, Evisa Sulejmani dhe Aleksandër Gjoka. Ndërkohë nën hetim janë edhe disa mjekë të dyshuar si të përfshirë në këtë skemë.

 

Anti-mafia italiane ka zbuluar se për të përfituar trajtimet në këto spitale, shpesh herë pacientët paguanin shuma të mëdha parash, bileta për ndeshje futbolli në San Siro, por edhe shërbime seksuale.

 

Akuzat e ngritura janë ato të korrupsionit, trafikut të drogës dhe nxitje të emigracionit të jashtëligjshëm. Referuar rasteve që kanë arritur që të dokumentohen si të përfituara përmes mashtrimit, mësohet se është krijuar një dëm afro 440 mijë euro.

 

Përpos falsifikimeve për shtrime spitalore, ky grup trafikonte dhe medikamente të shtrenjta, që ishin shumë të vështira për tu gjetur sidomos gjatë periudhës së pandemisë.

 

Hetimeve i është bashkuar edhe SPAK i cili ka kryer disa kontrolle në banesa dhe zyra mjekësh ku ka arritur që të gjejë disa dokumente që mund ti shërbejnë hetimeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *