Partia Demokratike ka vendosur të mos ulet në tryezën e bisedimeve me PS për dy reformat kryesore që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në zgjedhje; Reformën Territoriale dhe atë Zgjedhore. Por ky vendim nuk është përfundimtar shpjegon bashkëkryetari demokrat i Komisionit për Reformën Territoriale Luçiano Boçi. Ajo që pret PD është vullneti i mazhorancës për konsensus real për këto reforma, që deri më tani sipas PD mungon.
“Vazhdojnë me arrogancën, vazhdojnë që ne mund të vazhdojmë vetëm, nuk mundet ta modifikosh tani komisionin, komisioni ka një vendim. Pretendojnë të prishin një vendim që ta bëjnë në favorin e tyre me shumicën e votave. Le të vazhdojnë, në të dy komisionet. Ndërkohë që kërkesa e BE është që është një reformë që duhet bërë me konsensus politik. Edhe ato kanë kërkesat e tyre për konceptet e territoreve dhe futjen e organizimeve të reja siç është rajoni që përthith fonde nga BE”, tha Boçi.
Nënkryetari i PD Boçi, beson se qeveria Rama pavarësisht se i ka numrat nuk mund të bëjë Reformën Territoriale e vetme.
“Dosja e SPAK tregoi se këtu nuk ka institucione, këtu drejton Ergys Agasi”, tha Boçi.
Boçi beson se ka një rrugë tjetër për një reformë që i reziston kohës.
“Nëpërmjet një qeverie teknike themi ne, qeveri stabiliteti, nuk ka rëndësi emri. Një qeverie që vërtet bën dy reformat më të kërkuara që s’mund të bëhen në mënyrë të njëanshme, se janë bërë të tilla e kanë dështuar, edhe Territorialja edhe Zgjedhorja. Dhe ka një produkt vërtet që do t’i rezitojë kohës, se s’mund të bësh njëherë në 10 vite reformë territoriale. Kush i bën këto? Vetëm Shqipëria. Ne nuk bëjmë reforma, në bëjmë eksperimente politike”, tha ai.
Largimi i kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie teknike që çon vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme është qëllimi kryesor i opozitës në këtë vit që sa ka nisur, ndaj bisedimet me PS qoftë edhe për reformat duken në këtë situatë të pamundura. Boçi shpjegon se përtej protestave opozita nuk do të lejojë më mbledhje normale të parlamentit.
“Është parashikuar që në progresion grupi parlamentar të mbajë qëndrime rigide, që lidhen qoftë me grevën e urisë, qoftë edhe më ngujimin sikurse do të vazhdohet edhe me akte të tjera të forta brenda sallës së parlamentit”, tha Boçi.
Ideja e grevës së urisë po dëgjohet gjithnjë e më shpesh nga figurat kryesore të Partisë Demokratike. Greva e urisë është përdorur edhe nga Edi Rama dhe PS kur ishin në opozitë. Në 30 prillin e vitit 2010 deputetët e anëtarë të PS hynë në grevë urie për 20 ditë në Bulevard përpara Kryeministrisë duke kërkuar hapjen e kutive të votimit për zgjedhjet e 2009. Ilir Meta e drejtues të partive të vogla hynë në grevë urie në vitin 2008 për të kundërshtuar miratimin e Kodit të ri Zgjedhor dhe sistemit proporcional rajonal. Në të dyja rastet grevat e urisë nuk ia arritën qëllimit.





