Situata e fundit në Rusi ka nxitur reagimin e zyrtarëve amerikanë dhe evropianë.

 

Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken tha përmes një njoftimi në Twitter se kishte biseduar me ministrat e jashtëm të G7-ës dhe ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian për të diskutuar mbi situatën në Rusi.

 

“Shtetet e Bashkuara do të koordinohen ngushtë me aleatët dhe partnerët në ndjekje të situatës”, shkroi zoti Blinken në Twitter.

 

Gazetarja e BBC-së, Laura Kuenssberg njoftoi mbledhjen e komitetit të emergjencës së qeverisë britanike, njohur si Cobra, për të diskutuar mbi situatën në Rusi.

 

Gazetarja Kuenssberg intervistoi paraditen e së shtunës Kryeministrin britanik Rishi Sunak, i cili tha se do të bisedonte me të gjithë aleatët dhe i bëri thirrje të gjitha palëve të përfshirë në konflikt në Rusi që të shmangin lëndimin e civilëve.

 

Po ashtu, zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Gjermanisë njoftoi se “ministrja Annalena Baerbock diskutoi mbi situatën me homologët e G7-ës”, dhe se është thirrur një takim i ekipit për menaxhimin e krizave në qeverinë e Gjermanisë, raporton VOA.

 

Përmes një deklarate, Kremlini njoftoi se Presidenti i Rusisë Vladimir Putin zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. “Presidenti Erdogan mbështeti veprimet e qeverisë së Rusisë ndaj rebelimit të grupit mercenar të armatosur Wagner”, thuhet në njoftimin e Kremlinit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *