Banka e Shqipërisë sinjalizoi se së shpejti do të ketë ndryshime ligjore me fokus te rritja e sigurisë ndaj sulmeve kibernetike që prekin bankat e nivelit të dytë.

Njoftimi u bë i ditur gjatë një konference Kombëtare të Sigurisë Kibernetike, ku mori pjesë edhe  Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Kreu i Bankës së Shqipërisë u ndal te sfidat që po përballet sektori bankar në mbrojtjen ndaj sulmeve kibernetike, që siç ai theksoi, janë bërë më të sofistikuara.

Guvernatori Sejko prezantoi strategjitë që ndjek Banka e Shqipërisë për një hapësirë të sigurt kibernetike.

“Banka e Shqipërisë punon në vazhdimësi për forcimin e kuadrit rregullator dhe mbikëqyrjen e rrezikut të teknologjisë së informacionit. Përafrimi i legjislacionit me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe direktivat e BE-së ka marrë një përparësi të veçantë me zhvillimet e fundit teknologjike. Më konkretisht, puna e saj është e fokusuar në disa drejtime kryesore:

Vendosja e standardeve rregullatore dhe ligjore për mbrojtjen e sistemeve,  për sigurinë e të dhënave personale dhe autentifikimin e përdoruesve. Njëkohësisht, si pjesë e kërkesave rregullatore, janë përcaktuar plane të qarta për menaxhimin e incidenteve kibernetike dhe rikuperimin e sistemit pas një sulmi.

Auditimi i rregullt dhe mbikëqyrja e vazhdueshme e sistemeve dhe masave të sigurisë së institucioneve financiare për të siguruar përputhjen me standardet dhe për t’u siguruar që institucionet financiare të ndjekin praktikat më të fundit dhe të jenë të përgatitura për sulme të reja.

Krijimi i bashkëpunimeve ndërinstitucionale dhe ndërkombëtare për të luftuar krimin kibernetik, si dhe pjesëmarrja në grupet e shkëmbimit të informacioneve për të ndarë të dhëna mbi sulmet dhe kërcënimet e fundit kibernetike”, bëri të ditur Sejko.

Guvenatori u shpreh se në ditët e sotme, institucionet financiare po bëhen gjithnjë e më të varura nga shërbimet dhe sistemet digjitale, ndërsa përballen me një rritje të numrit të kërcënimeve kibernetike, ndaj dhe siguria në këtë fushë duhet të trajtohet si një çështje e nivelit të lartë, ndërfunksionale dhe që prek gjithë sistemin e një vendi./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *