Si mund të rikthehet PD në pushtet? Kjo ishte pyetja e drejtuar nga moderatorja Pranvera Borakaj në studion e Quo Vadis këtë të enjte në Vizion Plus.
E ftuar në studio, kryetarja e PD Dega 9, Eda Grimci, tha se PD duhet të bëjë analizë, të rikthejë llogaridhënien si dhe të ndajë grupin parlamentar nga drejtimi.
Ndërsa për drejtuesin e “Brain Gain” në PD, Tedi Kopliku, në PD më shumë se ndarja e posteve ka rëndësi ndarja e detyrave.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Çfarë duhet të ndryshojë PD që të vijë në pushtet?
Grimci: Të rikthehet llogaridhënia. Të ndahet grupi parlamentar nga postet e drejtimit. Ky është mendimi im politik. E njoh terrenin, njoh drejtimin; për mua kjo është llogaridhënia, përgjegjshmëria, drejtimi i partisë larg grupit parlamentar. Grupi parlamentar të na përfaqësojë në Parlament, drejtimi i partisë ata që vijnë nga terreni.
Kopliku: Jam dakord në përgjithësi. Ne kemi diku te 480 mijë vota që kanë mbetur jashtë, ndryshe nga PS që mund t’i shpërblejë me poste. Unë mendoj që PD duhet të përfshijë sa më shumë njerëz që kanë qenë pjesë e strukturave të PD. Te çështja e llogaridhënies jam dakord, më shumë se të ndajmë poste, të ndajmë përgjegjësi. Duhet të ketë detyra. Diçka tjetër që ne duhet t’u shpjegojmë qytetarëve është që PD po hapet, por hajde t’u shpjegojmë këto hapësira. Kemi shpesh qytetarë që nga divani thonë se PD duhet të ndryshojë, po hajde pra, mbushe atë hapësirë.





