Subscribe

Nata e ndërrimit viteve nuk është më mbrëmja tradicionale, që pasi konsumohet ushqimi, shihet spektakli i fishekzjarrëve dhe më pas vizita te të afërm. Tashmë tradita ka ndryshuar. Zak Topuzi, sipërmarrës por dhe ekspert turizmi, thotë se tashmë vëmendja nuk është më te menyja që ofrojnë restorantet.

“Më parë qytetarët ishin të fiksuar tek menyja dhe më pas tek argëtimi me muzikë. Ndaj dhe vëmendja jonë më parë ka qenë e fokusuar tek kuzhina. Tashmë shijet kanë ndryshuar. Eventet e bashkisë në natën e ndërrimit të viteve kanë bërë që festimet të zhvendosen pas orës 24.00. Edhe ata që kalojnë festën e ndërrimit të viteve në restorant, pas orës mesnatës dalin të festojnë në shesh apo në bare. Jo të gjitha grupmoshat, por kryesisht të rinjtë. Ajo çka vërehet është se ka një garë mes bashkive për të organizuar evente dhe kjo bën që të ketë një konkurrencë për të tërhequr sa më shumë turistë”, – tha Topuzi.


Por sa kushton sot festa e fundvitit për të gjithë ata që duan të zgjedhin të festojnë në restorant?

“Ofertat e restoranteve janë të shumëllojshme. Nis nga 5 mijë deri në 20 mijë lekë personi. Çdo kush mund ta gjejë vetën në varësi të të ardhurave. Kostot në tërësi janë rritur në çdo sektor, jo vetëm tek produktet ushqimore. Sot kushton shumë më shtrenjtë edhe muzika live për shkak të pagesave që kërkojnë këngëtarët”, – tha Topuzi në E-ZONE.

Sipas operatorëve të fushës dhjetori është kthyer i gjithë në një muaj festimesh, pasi çdo institucion zhvillon festat e fundvitit dhe kjo ka bërë që dhjetori të kthehet në muaj “sulmi” për restorantet.

/Vizionplus.tv/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *