“Si Italia dhe Franca”, Rama: Familjet e të miturve të dhunshëm s’do të kenë shërbime nga shteti, do t’u kufizojmë aksesin në vendet europiane

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa ndaj personave që nxisin ose përfshihen në akte dhune gjatë protestave në Tiranë, duke deklaruar se do të identifikohen personat që fshihen pas kapuçëve dhe se do të përdoren edhe mjetet teknologjike për t’i gjurmuar.
Kreu i qeverisë paralajmëroi gjithashtu masa që, sipas tij, do të përfshijnë edhe familjet e të miturve që përfshihen në akte dhune dhe dëmtim të pronës.
Rama foli edhe për mundësinë e kufizimit të aksesit në shërbime dhe ambiente të ndryshme, duke përmendur aeroportet, hotelet dhe trenat, si dhe bashkëpunimin me vendet e Bashkimit Evropian për të ndaluar hyrjen e personave që i cilësoi si të dhunshëm.
“Ne do të fillojmë zbulimin e profileve që nxisin dhunë. Do të zbulojmë ata që rrinë me kapuç. Do t’i ndjekim këmba-këmbës, përveç syve të teknologjisë. Ky nuk është një informacion për të gjithë ata që e kanë dhunën në mendje, që të largohen një orë e më parë.Çdokush që ka një fëmijë të mitur, të kujdeset për fëmijët. E bënë Italia dhe Franca, do ta bëjmë edhe ne. Do të paguajë familja, nuk do të marrë më asnjë shërbim nga shteti familja e të miturit që djeg pronat e tjetrit.Do t’ju mbyllim shumë aksese, nëpër aeroporte, hotele, trena. Natyrisht që do të bashkëpunojmë me vendet e BE-së, për t’ua ndaluar aksesin në ato vende si njerëz të dhunshëm.Dialogu, shkëmbimi i ideve, ballafaqimi demokratik, ulja në tryezë për të gjetur rrugë të reja që mund të na shërbejnë, siç na shërbyen në protestën e vitit 2018. Nga protesta e vitit 2018 nxorëm mësime, bëmë pakte për universitetin. Dhe po punojmë për hapat e tjerë, në momentin kur kjo histori t’ia lërë vendin logjikës.Unë nuk kam asgjë për të ndarë me kritikët e mediave tradicionale që nxisin dhunë.”, tha Rama.




