Pothuajse të gjithë presidentët amerikanë janë përballur me një krizë në detyrë, qoftë ky një skandal politik, katastrofë natyrore, fatkeqësi ekonomike apo terrorizëm. Por jo të gjithë kanë patur fatin e keq për t’u përballur me epidemi dhe pandemi. Ja disa prej tyre dhe si i shikojnë historianët veprimet e tyre.
Woodrow Wilson – gripi spanjoll
Presidenti Woodrow Wilson u përball me pandeminë e gripit të vitit 1918-19 që vrau 20 deri 50 milion njerëz në mbarë botën ndërsa Shtetet e Bashkuara po luftonin në Luftën e Parë Botërore.
“Edhe pse Presidenti Trump ka thënë se jemi në luftë me pandeminë, në rastin e Wilson-it dhe gripit spanjoll, Shtetet e Bashkuara me të vërtetë ishin në luftë,” thotë Thomas Schwartz, profesor i historisë në Universitetin Vanderbilt.
Lufta ishte arsyeja që administrata Wilson e minimizoi krizën, që nga momenti kur filloi shpërthimi, derisa përfundimisht gjetën vdekjen 675,000 amerikanë.
“Woodrow Wilson asnjëherë nuk bëri një deklaratë publike të çfarëdo lloji në lidhje me pandeminë,” thotë John M. Barry, profesor në degën e Shëndetit Publik në Universitetin Tulane dhe autor i librit The Great Influenza: The Story of the Deadliest Pandemic in History.
“Ishte një tregues i përqëndrimit intensiv të Wilsonin në luftë – ishte gjithçka për të cilën ai kujdesej,” thotë zoti Barry.
Ashtu si Britania, Franca dhe Gjermania, Shtetet e Bashkuara e mbajtën sekret shpërthimin e pandemisë sepse nuk donin t’i tregonin dobësi armikut. Në kulmin e shpërthimit, Wilsoni dërgoi trupa jashtë vendit të ngjeshur me anije që ishin “kuti transferimesh të virusit”, thotë Max Skidmore, profesor i shkencave politike në Universitetin e Misurit-Kansas City dhe autor i librit Presidents, Pandemics and Politics.
Përfundimisht një e katërta e të gjithë amerikanëve u infektuan, përfshirë disa që punonin në Shtëpinë e Bardhë. Shumë historianë besojnë se vetë Wilsoni u sëmur. Zoti Barry thotë se gjatë negociatave përpara Traktatit të Versajës në vitin 1919 në Paris, Wilson kishte temperature “39, 40 gradë, kollë të rëndë dhe simptoma të tjera që ishin unike për virusin e vitit 1918.”
Ndërsa shtetet dhe qytetet filluan të udhëzonin banorët për atë që ne tani e quajmë distancim social – mbylljen e bizneseve dhe shkollave, ndalimin e tubimeve publike – administrata e Wilson vazhdoi të minimizojë pandeminë. Spanja, një palë neutrale në luftë, ishte i vetmi vend që raportoi me saktësi numrat e viktimave, duke i dhënë pandemisë emrin gripi spanjoll, edhe pse gripi nuk e kishte origjinën atje.
Dwight Eisenhower – gripi aziatik
Virusi H2N2 u raportua për herë të parë në Singapor në shkurt të vitit 1957 dhe arriti në Shtetet e Bashkuara atë verë.
Presidenti Dwight D. Eisenhower ishte në dijeni të pandemisë kërcënuese, thotë Skidmore, por fillimisht refuzoi të fillojnte një program vaksinimi të mbështetur nga qeveria në shkallë kombëtare”. Ai kishte besim në aftësinë e vaksinimit në tregun e lirë për t’u kujdesur ndaj krizës që afrohej,” thotë Skidmore. “Dhe si rezultat, shkalla e vdekjeve ishte ndoshta dyfishi I asaj që mund të kishte qenë.”
Në gusht të vitit 1957, Eisenhower i kërkoi Kongresit 500,000 dollarë fonde dhe autorizimin për të zhvendosur një shumë prej 2 milion dollarësh, nëse do të ishte e nevojshme, për të luftuar virusin. Ai vendosi si qëllim prodhimin e 60 milion doza vaksinash, të mjaftueshme për të vaksinuar një të tretën e popullsisë, rreth 171 milion në atë kohë. Deri në fillim të nëntorit, ishin administruar rreth 40 milion doza, dhe pandemia filloi të humbasë vrullin.
Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) e llogarit numrin e vdekjeve nga virusi H2N2 në 1.1 milion njerëz në mbarë botën dhe 116,000 në Shtetet e Bashkuara.
Gerald Ford – gripi i derrit
Udhëheqësit shpesh janë fajësuar për minimizimin e krizave, por Gerald Ford u akuzua nga disa për reagime të tepërta.
Jo shumë kohë pasi vdiq një ushtar nga një formë e re e gripit në shkurt të vitit 1976, Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Arsimit dhe Mirëqenies njoftoi se virusi mund të kthehej në një epidemi deri në vjeshtë.
Shkencëtarët në CDC menduan se ky virus mund të ishte edhe më vdekjeprurës sesa ai i vitit 1918. Për të shmangur një epidemi, CDC-ja tha se të paktën 80 përqind e popullsisë amerikane duhej të vaksinohej, duke bërë që Presidenti Ford të nënshkruante në mes të prillit legjislacionin e emergjencës për Programin Kombëtar të Imunizimit të Gripit të Derrit. Brenda disa muajve, afro 50 milion amerikanë u vaksinuan.
Presidenti Ford ndërmori veprime të shpejta, por difektet me vaksinën shkaktuan në fund më shumë probleme, thotë historian Schwartz. Qindra njerëz u prekën me sindromën Guillain-Barre, një çrregullim i rrallë neurologjik, pasi morën vaksinën e gripit.
“Ironikisht, ishte sofistikimi i vetë sistemit të monitorimit të qeverisë që i bëri ata të identifikonin këto raste dhe t’i lidhnin ato me vaksinat”, thotë historiani.
Ndërsa Ford demonstroi efikasitetin e qeverisë në mobilizimin e burimeve, programi i tij i gjerë i vaksinimit, së bashku me gabimet e tjera politike, kontribuoi në përpjekjen e Ronald Reagan për të mposhtur nominimin republikan të Fordit në 1976. Fordi humbi ndaj demokratit Jimmy Carter më vonë atë vit.
“Konsensusi i përgjithshëm është se ai reagoi shumë,” thotë Skidmore, i cili megjithatë e lavdëron qasjen e presidentit. “Ai dukej se ishte i bindur, dhe në retrospektivë mendoj se kishte të drejtë, se do të ishte shumë më mirë të bëhej një vaksinë dhe të mos kishte pandemi, sesa të kishte një pandemi dhe të mos bëhej vaksinë.”
Në kohën kur filluan imunizimet në tetor, nuk kishte arritur të shfaqej ndonjë shpërthim i madh dhe gripi i derrave u bë i njohur si pandemia që nuk ndodhi kurrë. Përvoja kontribuoi në hezitimin e disa amerikanëve për të përqafuar vaksinat, madje edhe tani.
Ronald Reagan – kriza e SIDA-s
Administrata Reagan është kritikuar për mos marrjen seriozisht të Sidës dhe për lejimin e stigmatizimit të burrave homoseksualë në Amerikë. Regjistrimet audio të konferencave për shtyp në fillim të viteve 80 zbulojnë sekretarin e Shtypit të Presidentit Ronald Reagan duke bërë shaka me gazetarët në lidhje me epideminë duke përdorur termin “plagë holoseksualësh”.