Përfaqësuesit e Partisë Socialiste e Partisë Demokratike kanë zbarkuar në Berlin për të zhvilluar takime me figura të rëndësishme të Bundestagut dhe qeverisë gjermane.
Delegacioni i drejtuar nga kryetari i Parlamentit Niko Peleshi ka zhvilluar një takim me Presidenten e Bundestagut Julia Klöckner. Në këtë takim u diskutua procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe mbështetja e Gjermanisë për vendin tonë në rrugën e integrimit. Sfidat që Shqipëria ka në rrugën për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian u diskutuan edhe gjatë takimit me kryetarin e Komitetit për Çështjet Evropiane Anton Hofreiter. Pjesë e delegacionit të parlamentit janë edhe kryetari i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla, Iris Luarasi, Erion Malaj. Në këtë vizitë kryeparlamentari Niko Peleshi zgjodhi të mos marrë përfaqësues nga Partia Demokratike, duke marrë si përfaqësues të opozitës Edmond Haxhinasto dhe Redi Muçi.
Ndërkaq një delegacion i PD i përbërë nga Gazment Bardhi, Jorida Tabaku e Klevis Balliu ndodhen në Berlin prej së martës dhe kanë zhvilluar disa takime në Bundestag e takime me qeverinë gjermane. Përfaqësuesit e PD zhvilluan një takim me ministrin e Shtetit për Evropën Gunther Krichbaum me të cilin biseduan për procesin e integrimit duke i paraqitur shqetësimet e opozitës në lidhje me luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar përfshi edhe atë që PD e cilëson pengim të drejtësisë në rastin e ish-numrit 2 të qeverisë Belinda Balluku. Sipas PD korrupsioni dhe mungesa e barazisë para ligjit mbeten pengesa kryesore në procesin e integrimit. Gjatë qëndrimit në Berlin deputetët demokratë kanë zhvilluar edhe takime me Komitetin e Çështjeve Evropiane dhe Komitetin për të Drejtat e Njeriut, raporterin për Shqipërinë Peter Beyer. Dy delegacionet zhvilluan takime të ndara e u bashkuan vetëm në takimin me Komitetin për të Drejtat e Njeriut.
Gjermania është një prej vendeve që ka mbështëtur integrimin e Shqipërisë në BE dhe qëndrimi i saj ndaj Shqipërisë ka një rëndësi të veçantë në këtë moment kur vendi ka hapur negociatat për anëtarësim./vizionplus.tv





