Subscribe

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i “tërhoqi veshin” shumicës qeverisëse që e votoi Kodin e ri Zgjedhor pa konsesus. Me anë të një reagimi në “Facebook”, selia diplomatike u shpreh se mazhoranca nuk e mbajti dot fjalën për të gjetur emëruesin e përbashkët në Këshillin Politik. Megjithatë, ambasada amerikane theksoi se ndryshimet e miratuara këtë të hënë nuk janë shkelje, por shtesë e marrëveshjes së 5 qershorit.

 

“Shtetet e Bashkuara i kanë shtyrë udhëheqësit e Shqipërisë – brenda dhe jashtë parlamentit – për t’u angazhuar me njëri tjetrin në mënyrë transparente dhe përfshirëse për çështje me rëndësi kombëtare. Ky lloj angazhimi pozitiv prodhoi marrëveshjen e 5 qershorit për reformën zgjedhore. Nga ajo kohë, kemi bërë të qartë që marrëveshja e 5 qershorit duhet të respektohet dhe se çfarëdo masash shtesë duhen shqyrtuar dhe miratuar në mënyrë të ngjashme transparente dhe përfshirëse në Këshillin Politik. Sot, partia qeverisëse ndaloi diskutimet në Këshillin Politik dhe votoi për të miratuar ndryshime domethënëse të rregullave që do të qeverisin zgjedhjet e 25 prillit. Ndërkohë që ishte brenda kompetencave të parlamentit për t’i miratuar këto ndryshime, dhe ndërkohë që këto ndryshime janë shtesë – dhe jo shkelje – të marrëveshjes së 5 qershorit, është për të ardhur keq që shumica dështoi të respektonte përkushtimin e deklaruar prej vetë asaj për të kërkuar emërues të përbashkët në Këshillin Politik.”

 

Ambasada e SHBA në vendin tonë tha se pret nga politikanët që të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

 

 

“Shqipëria është anëtare e NATO-s, aspiruese për anëtarësim në Bashkimin Europian, dhe Kryesuese e radhës e OSBE-së. Është detyrë e udhëheqësve të Shqipërisë – duke filluar por jo vetëm ata në pushtet – për të kërkuar nga vetja një standard më të lartë dhe për të siguruar lirinë dhe ndershmërinë e zgjedhjeve të ardhshme. Këtë pritshmëri e kemi ashtu si populli shqiptar.”

 

Këtë të hënë kaloi në Parlament me 97 vota pro dhe 15 kundër Kodi i ri Zgjedhor.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *