Subscribe

Ky sezon turistik nuk do të jetë aspak i lehtë për industrinë e transportit ajror. Ndaj të gjithë ju që do të udhëtoni këtë verë, përgatituni, pasi vonesat në aeroporte të ndryshme të Europës do të jenë të pashmangshme.

 

Sipas të dhënave nga qendra e trafikut ajror,  shkaku kryesor i këtyre vonesave janë grevat aeroportuale, ndërsa më pas vijnë arsyet e ndryshme të kompanive.

 

Por çfarë sugjerohet në një situatë të tillë paqartësie?

 

“Kjo do të jetë një verë jo e lehtë, por e vështirë. Çfarë duhet të kenë parasysh pasagjerët është fakti që duhet të marrin transite të gjata, ndryshe do të mund të humbin udhëtimin. Në rastet kur vonesat shkaktohen nga grevat, nuk parashikohen kompensime. E gjithë industria është nën presion, pasi ende nuk e ka marrë veten nga efektet e pandemisë” – sqaron në një intervistë për Vizion Plus Maksim Ethemaj, Drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil.

 

Por kush janë aeroportet më të prekura nga grevat e punonjësve?

 

“Më problematike janë shtetet si Italia, Franca dhe Gjermania. Aeroporte të ndryshme në këto shtete zhvillojnë greva të vazhdueshme, çka për rrjedhojë fluturimet jo vetëm vonohen, por edhe anulohen” – thotë Ethemaj.

 

Gjatë pandemisë, shumë aeroporte shkurtuan fuqinë punëtore, e cila ende nuk ka arritur në nivelet e para Covidit, ndonëse trafiku ajror është rritur. Kjo problematikë është bërë shkak që rreth 1500 bagazhe nga kompania gjermane “Lufthansa”, të mbeten të bllokuara në Mynih.

 

“Aeroporti i Mynihut ka mangësi stafi në ngarkim-shkarkim bagazhesh. Për muajin e fundit janë 1500 bagazhe të mbetura pa ardhur në Tiranë. Po negociojmë me kompaninë vetëm për një fluturim shtesë për kthimin e tyre.”

 

Një ditë më parë, një grevë disa orëshe në Itali bllokoi qindra fluturime dhe afektoi mijëra pasagjerë, por nuk pati anulime me vendin tonë.  

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *