Subscribe

Ministria e Shëndetësisë është e përgatitur për skenarin e përkeqësimit të mëtejshëm të situatës në spitalin Infektiv.

Ogerta Manastirliu tha se po merren të gjitha masat dhe në varësi të situatës do të vlerësohet nëse do të rihapet spitali “Shefqet Ndroqi”, për t’u marrë vetëm me trajtimin e të infektuarve.

“Me plotësimin e kapaciteteve të spitalit Infektiv, po përgatitemi për hapjen e ish-Kirurgjive në QSUT për të përballuar fluksin actual dhe po përfundojmë rekrutimin e stafit mjekësor dhe infermieror që do të shërbejë në këtë spital. Paralelisht me hapjen e ish-Kirurgjive në QSUT, nëse do të kemi shtim të rasteve në terapi intensive, do të hapim spitalin COVID2, pra spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ dhe në skenarin tjetër, nëse shifrat kapërcejnë këto kapacitete, do të hapet spitali COVID4 në aksin Tiranë-Durrës, i cili do të administrohet nga QSUT.”

Ministrja e Shëndetësisë tha se sistemi shëndetësor do të vijojë të jetë në alert dhe se do të kërkohet me rigorozitet zbatimi i protokolleve të sigurisë.

Nga ana tjetër, Manastirliu njoftoi se nuk do të ketë një shtyrje tjetër të gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Megjithatë, ajo theksoi se kjo nuk do të thotë se rregullat kufizuese nuk janë më fuqi.

“Përfundimi i gjendjes së fatkeqësisë natyrore nuk e ul gatishmërinë tonë në përballje me këtë virus të rrezikshëm, pasi vendi vijon të jetë në gjendje epidemie dhe bazuar në ligjin për sëmundjet infektive do të vijojnë të jenë në fuqi të gjitha masat që kufizojnë përhapjen e infeksionit. Strukturat e Task-Forcës anti-COVID do të vijojnë të jenë të angazhuara 24/7 në terren në të gjithë territorin, me kapacitet të plotë dhe çdo thyerje e rregullave do të konsiderohet kërcënim për shëndetin e popullatës.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *