E martë, 22 Shtator 2026 Film TV deri në 22:30 Në vijim ora 22:30: Lajmet e Fundit dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Politikë

“Shteti është vënë në shërbim të PS”, Berisha: SPAK ka mbyllur çdo dosje që prek mazhorancën

Kryetari i Partisë Demokratike akuzoi kryeministrin Edi Rama, ministrat e kabinetit të tij dhe të zgjedhurit vendorë se po përdorin shtetin në favor të Partisë Socialiste dhe garës së 11 majit.

Në mbledhjen me deputetët demokratë, Berisha veçoi zëvendëskryeministren Belinda Balluku, të cilën e akuzoi për krime elektorale në qarkun e Fierit.

“Krimin shtetëror elektoral e kryeson Lubi Balluku. E kryeson ky person, që në vjedhjet e saj tejkalon pas Edi Ramës çdo person tjetër në historinë e vendit. Kjo ka hapur zyrat në të gjithë Myzeqenë me punonjësit e ministrisë, të cilët ngulen aty si xhandarë elektoralë, si terroristë elektoralë”, tha Berisha.

Berisha akuzoi SPAK-un se ka mbyllur çdo dosje që ka denoncuar opozita ndaj figurave kryesore të mazhorancës, duke lajmëruar se do ngrihet një departament në PD i posaçëm për luftën kundër korrupsionit.

Reklamë

“Nuk kemi lënë dosje pa dorëzuar, po ata i mbyllin, ata grisin urdhër arreste. Ata çojnë për ndjekje penale Bardh Spahinë pse ka pushuar nga puna një të dënuar për vjedhje. Kjo është e vërteta. Fshehin urdhër arrestin dhe dosjen për Benet Becin, i cili ka shuma të mëdha të ndara me qeveritarët. Dhe i del ish-xhelati i Sigurimit të Shtetit dhe Edi Rama së bashku dhe e marrin në mbrojtje se Edi Rama duhet të marrë mandatin me bandat”, shtoi kreu i PD-së.

Përtej betejës zgjedhore dhe luftës kundër korrupsionit, PD do të vazhdoj betejën në parlament edhe në këto pak javë që kanë mbetur para zgjedhjeve. Berisha lajmëroi se sot PD do të çojë në parlament një ligj që sanksionon se në Shqipëri njihen vetëm 2 gjini.

“Ne kemi përgatitur një ligj në kuadrin e desorosizimit që dorëzojmë sot, me të cilin sanksionojmë se Republika e Shqipërisë njeh dy gjini, ato që i ka bërë Zoti, mashkull dhe femër. Në mënyrë që t’i japim fund çdo lloj tentative dhe përpjekje. Ligji tjetër me dënim ai që flet për Prindin 1 dhe Prindin 2. Do ketë sanksione”, deklaroi Sali Berisha.

Berisha përsëriti një premtim të hershëm të tij që në rast se fiton zgjedhjet e 11 majit, do të shpallë non gratet George Soros.

Më shumë video

Reklamë