Presidenti i SHBA Donald Trump do t’u përgjigjet akuzave të demokratëve për shkarkimin e tij, kur procedura të kalojë në fazën e gjykimit në Senat, ku republikanët kanë shumicën, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Reagimi vjen pas shpalljes të martën nga demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve të dy akuzave: shpërdorim të pushtetit dhe pengim të Kongresit. Dhoma e Përfaqësuesve ka votuar vetëm tre herë në historinë e saj për shkarkimin e një presidenti amerikan.

Shtëpia e Bardhë ka zgjedhur të mos ngrejë argumente kundër akuzave në prag të hedhjes së tyre në votë në Dhomën e Përfaqësuesve, që pritet të bëhet së shpejti.

“Presidenti do t’u përgjigjet këto akuza të rreme në Senat dhe pret që ai ta nxjerrë plotësisht të pafajshëm, sepse nuk ka bërë asgjë të gabuar, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham në një deklaratë.

Deklarata nuk sqaron se si do t’u përgjigjet akuzave Presidenti. E pyetur në një intervistë për Fox News nëse zoti Trump do të donte të dëshmonte në Senat, zonja Grisham tha se nuk ishte në dijeni.

“Unë nuk dua t’i paraprij asaj që ai mund të bëjë por jam e sigurt se ne do të marrim pjesë në një farë mënyre, sigurisht me këshilltarin tonë,” tha ajo. “Gjithashtu do të sjellim dëshmitarët tanë, që ne shpresojmë se ata do të marrin pjesë”.

Aparati politik i Shtëpisë së Bardhë dhe i Presidentit Trump, që përfshijnë fushatën e tij të rizgjedhjes dhe Komitetin Kombëtar Republikan, kanë zgjedhur të sulmojnë procesin e shkarkimit në vend që të debatojnë faktet e paraqitura nga demokratët.

Presidenti Trump dhe aleatët e tij e kanë quajtur procesin partiak, duke thënë se atij i mungon paanshmëria. Ata i përshkruajnë akuzuesit demokratë të Presidentit si njerëz që përpiqen të zhbëjnë zgjedhjen e tij në vitin 2016.

Akuzat e ngritura nga Dhoma i Përfaqësuesve të martën i japin fund disa javëve hetime dhe seanca dëgjimore, të cilat Presidenti Trump i ka cilësuar të njëanshme. Ai thotë se seancat nuk i kanë dhënë atij asnjë mundësi për të paraqitur pikëpamjen e tij.

Shtëpia e Bardhë nuk ka pranuar kërkesat e përsëritura që zyrtarët e saj të lartë të dëshmojnë në Kongres apo që të dorëzojnë dokumente në komisionet e Dhomës së Përfaqësuesve, ku demokratët kanë shumicën.

Dhoma e Përfaqësuesve është pothuajse e sigurtë se procesi i shkarkimit do të marrë miratimin e saj, që nuk mund të ndodhë përveçse në linja partiake. Më pas, në muajin janar Senati, i kontrolluar nga republikanët do të zhvillojë gjykimin. Asnjë republikan në asnjërën prej dhomave të Kongresit nuk është shprehur pro shkarkimit të Presidentit Trump.

Zoti Trump dhe aleatët e janë përpjekur ta përshkruajnë krejt procesin si në fakt një fitore për presidentin, duke argumentuar se orvatjet e demokratëve ka bërë që mbështetja e përkrahësve të të forcohet akoma më shumë.

“Shpallja e dy akuzave të pabaza për shkarkimin e presidentit Trump nuk e dëmton atë, por dëmton popullin amerikan, i cili pret që zyrtarët e zgjedhur prej tij të punojnë për të forcuar vendin,” tha zonja Grisham në deklaratë./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *