Në zgjedhjet parlamentare, në Gjermani garuan edhe disa shqiptarë, njëri prej të cilëve është Kolë Gjoka, kandidat i CDU. Në një lidhje me edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, teksa fliste mbi ecurinë e procesit atje, Gjoka u shpreh se nuk dihet kur pritet të dalë rezultati, pasi regjistrohet një numër i lartë votimesh me postë.

 

Ai u shpreh se votimi me postë e vështirësoi disi procesin zgjedhor, megjithatë, shtoi Gjoka problemet u sheshuan në kohë.

 

“Është e vështirë të thuhet kur pritet të kemi rezultat përfqësues sepse në këto zgjedhje ka patur një numër shumë të lartë të votimit me postë. Nuk besoj që Gjermania do të vuajë nga problemet që shoqëruan votimet me postë në zgjedhjet presidenciale amerikane. Ne mësuam nga gabimet në zgjedhjet amerikane, nuk besoj që do të kemi të tilla probleme…Është hera e dytë që kandidoj për Bundestagun, procesi është i njëjtë si në 2017, si tani. Dua të theksoj faktin që në këto zgjedhje ka pasur një kërkesë shumë të lartë që votimi të bëhet me postë. Kjo e ka vënë paksa në vështirësi procesin zgjedhor, gjithsesi problemet teknike u eleminuan në kohën e duhur.”

 

I pyetur se çfarë mendon për angazhimin e shqiptarëve në jetën politike gjermane, nëse është apo jo në nivelet e duhura, ai pohoi: “Kryesore për mua është impakti që ne përfaqësojmë shqiptarët dhe rrisim imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në Gjermani. Ne tregojmë se kush jemi këtu. Në këtë formë ne e arritëm atë. T’ju tregojmë edhe gjermanëve qe edhe ne kemi mundësi, aftësi, edhe ne jemi evropianë.”

 

Rezultatet paraprake sipas exit polls prezantojnë një garë shumë të ngushtë mes konservatorëve dhe socialdemokratëve, të cilët parashikohet të kenë siguruar përkatësisht nga 25 % të votave. Në vend të tretë renditen “Të Gjelbrit” me 15 %.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *