E enjte, 22 Tetor 2026 Lajme Ora 19:00 dhe Moti deri në 20:00 Në vijim ora 20:00: Det i Trazuar Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Breaking përditësuar 12 sekonda më parë
Politikë

Shqipëria ratifikon Konventën për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, Gogu: Shteti shqiptar merr përsipër detyrimet

Shqipëria ratifikoi sot Konventën e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit. Kuvendi votoi në seancë plenare marrëveshjen e parë ndërkombëtare me fuqi detyruese, që i kushtohet tërësisht mbrojtjes së profesionit të avokatit.

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, në një video të shpërndarë, ka shpjeguar se me ratifikimin e Konventës, shteti shqiptar merr përsipër 5 detyrime.

Reklamë

Së pari, avokati duhet ta ushtrojë profesionin pa frikë dhe pa pengesa të padrejta. Ai duhet të ketë mundësi të takojë klientin, të njihet me dosjen dhe të marrë pjesë realisht në procesin ku e përfaqëson.

Së dyti, ajo që qytetari i thotë avokatit të vet mbetet mes tyre.

Reklamë

Së treti, avokati ka të drejtë të flasë lirisht, por me përgjegjësi.

Së katërti, kur avokati kërcënohet ose sulmohet për shkak të punës së tij, shteti detyrohet ta hetojë rastin seriozisht.

Së pesti, dhomat e avokatisë duhet të jenë të pavarura dhe vetëqeverisëse.

Konventa u miratua nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës në mars të vitit 2025 dhe u hap për nënshkrim në Luksemburg më 13 maj të po atij viti. Shqipëria e nënshkroi në Strasburg në qershor të këtij viti. Qeveria miratoi projektligjin për ratifikimin në korrik, ndërsa Komisioni i Ligjeve e shqyrtoi më 6 tetor.

Pas ratifikimit, Ministria e Drejtësisë do t’u njoftojë institucioneve detyrimet që rrjedhin nga Konventa. Brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, Ministria do t’i paraqesë Komisionit të Ligjeve një analizë mbi përputhshmërinë e ligjit për avokatinë, Kodit të Procedurës Penale dhe akteve nënligjore me standardet e Konventës.

Analiza do të hartohet në konsultim me Dhomën Kombëtare të Avokatisë.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.