“Çdo alternativë tjetër përveç PS është e rrezikut për t’u kthyer sërish pas drejt të njëjtës humnerë”. Me këtë mesazh drejtuar banorëve, kryesocialisti Edi Rama zhvilloi sot takimin përmbyllës në bashkinë e Dimalit.
Rama tha se në total gjatë viteve të qeverisjes janë bërë gjysmë miliardë euro investime, ndërsa premtoi se ka ende shumë punë për të bërë dhe prandaj i nevojitet mandati i katërt.
“Njëri bufi i kënetës del thotë se do të shkrijë SPAK dhe e-Albania. Dmth drejtësia do të kthehet aty ku ishte, në kënetën e bufit, që kur vriteshin njerëz poshtë dritares së kryeministrit…Të tjerët që medemek janë të rinj, thonë se po qe se na vjen ne në dorë kjo punë, do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Ndërkohë që ne na duhet të mbyllim negociatat në 2027 dhe të futemi në BE”, tha Rama.
Gjatë prezantimit të programin, kreu i selisë rozë iu bëri thirrje qytetarëve të Dimalit që të fokusohen në anëtarësimin në BE ndërsa nuk la jashtë vëmendjes akuzat e opozitës për rritjen të shifrave të papunësisë.
“Ka shumë që thonë se shifra e ulët vjen se kanë ikur njerëzit. Lëre pastaj ata që thonë se kanë ikur 1 mln njerëz, një nga shpifjet më të mëdha të kënetës ndërkohë që censusi e tregoi saktë se sa është popullsia e Shqipërisë. Por përqindja e papunësisë nuk matet mbi popullsinë e përgjithshme por mbi forcat e punës. Për herë të parë kemi një papunësi njëshifrore 8.8”, u shpreh ai.
Për Ramën, partitë e reja nuk kanë asgjë më tepër se LSI-ja
“E kishim një ndjesë pastë LSI që na u ngatërrua nëpër këmbë dhe u kthye në nyjë në fyt për shqiptarët dhe në vend që ta kujtojmë për 1 maj meqenëse është dita e punëtorëve, dhe të themi shyqyr shpëtuam nga pengmarrësit e vegjël, dalin të tjerët dhe thonë do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme”, deklaroi Rama.
/vizionplus.tv





