Lavdia e kuqezinjve tashmë është venitur tërësisht, pasi sot është mundur nga Bosnje Hercegovina në ndeshjen miqësore të zhvilluar në “Elbasan Arena”, me rezultatin 2-1, për të regjistruar kështu humbjen e katër rradhazi. Shqipëria e ka parë veten në disavantazh që në minutën e 7’, kur pas një gabimi të Alijit në hyrje të zonës, Dzeko ka shndërruar në gol penalltinë e akorduar nga arbitri. Në të 42’ boshnjakët kanë dyfishuar epërsinë e tyre, kësaj here me Lulic. Ndonëse kanë kuqezinjtë kanë tentuar të administrojnë më shumë topin, për ta zhvendosur lojën në gjysmëfushën kundërshtare, realisht nuk kanë mundur dot të rrezikojnë seriozisht asnjëherë portën boshnjake, të paktën deri në të 68’, atëherë kur Balaj ka ngushtuar shifrat në 1-2, pas një goli të realizuar me kokë. Një humbje që djeg edhe më shumë pas krizave të njëpasnjëshme në kampin kuqezi, si brenda ekipit ashtu edhe në marrëdhëniet gjithmonë në krizë me tifozët.

Pjesa e parë

Ndeshja nis me këmbën e mbrapshtë për kuqezinjtë të cilët e shohin veten në disavantazh që në minutën e 7’. Pikërisht vetëm shtatë minuta nga fillimi i lojës, Aliji ndërhyn ndaj Krunic në hyrje të zonës, i cili rrëzohet dhe arbitri ka akorduar 11-m, që ekzekutohet dhe shndërrohet në gol nga Dzeko. Disa minuta pozitive për Shqipërinë që ndërmerr një sërë tentativash mes minutave 25’-32’, me aksione gati të ngjashme, që shohin si protagonistë Memushajn dhe Hykën, por në asnjë rast nuk vihet në provë portieri i Bosnjës. Kur mbeteshin edhe tre minuta nga përfundimi i kohës së rregullt, Bosnja dyfishon avantazhin, pasi Lulic i pashqetësuar në zonën kuqezi, i vetëm përballë Strakoshës nuk e ka aspak të vështirë të dërgojë topin në rrjetë, 0-2.

Pjesa e dytë

Ky fraksion i dytë loje do të shfaqë tentativat e Shqipërisë për të ushtruar presion mbi kundërshtarin, duke spostuar lojën në gjysmëfushën boshnjake, por pa mundur dot të testojë finalizimet në portë. Nga ana tjetër, skuadra e Bosnjë Hercegovinës nuk shfaq më të njëjtën rrezikshmëri. Kuqezinjtë kanë ngushtuar shifrat në minutën e 68’ kur Balaj, ka shfrytëzuar në mënyrë të mrekullueshme krosimin nga e djathta të Hykës, për të triumfuar në zonën boshnjake dhe si gjithmonë i fuqishëm në luftën në ajër, ka dërguar topin në rrjetë, për të sigluar rezultatin në 1-2. Pavarësisht përpjekjeve të kuqezinjve, minutat e mbetura, madje edhe ato 4’ shtesë, nuk kanë mjaftuar për të gjetur golin e barazimit. Latifi i është afruar golit vetëm pak sekonda nga përfundimi i takimit, por portieri boshnjak ka devijuar në goditje këndi.

Formacionet

Shqipëri-Bosnjë-Hercegovinë 1-2

Shënues: Balaj 68’ / Dzeko 7’ (11-m), Lulic 42’

Shqipëria: Strakosha, Hysaj, Alla, Veseli, Aliji, Kukeli, Basha, Memushaj, Hyka, Llullaku, Balaj.

Trajner: Gianni De Biasi

Bosnjë-Hercegovina: Begovic; Djumic, Sunjic, Zukanovic, Vranjes; Lulic, Jajalo, Prcic Krunic; Kodro, Dzeko.

Trajner: Mehmed Bazhdarevic

Gjyqtar: Dimitar Meckarovski (Maqedoni)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *