Shqipëria mbyll kapitullin e katërt me BE-në, Gjipali zbulon sfidat drejt anëtarësimit

Shqipëria përmbylli sot në Luksemburg, në konferencën ndërqeveritare me Bashkimin Europian, kapitullin e katërt të negociatave.
Gledis Gjipali, drejtues i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus, me moderator Aleksandër Furxhi, shpjegoi rëndësinë e këtij kapitulli për bizneset shqiptare.
Ai ndalet gjithashtu te pozicioni i Shqipërisë në raport me Malin e Zi, Ukrainën dhe Moldavinë, në një kohë kur procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian po zhvillohet në një kontekst të ndërlikuar politik dhe gjeopolitik.
Gjipali komenton edhe qasjen e Komisionit Europian ndaj zhvillimeve politike në Tiranë, përfshirë akuzat për korrupsion dhe protestat e opozitës.
INTERVISTA E PLOTË:
Sa peshë ose cila është pesha specifike e këtij kapitulli në tërësinë e 33 kapitujve të negociatave?
Gledis Gjipali: Jemi ende tek kapitujt më të ashtuquajtur më të lehtë për t’u adresuar, pasi kanë më pak legjislacione apo politika për t’u zbatuar. Gjithsesi ky është një kapitull i rëndësishëm sepse bëhet fjalë për politikat industriale, mbështetjen ndaj bizneseve të vogla dhe të mesme. Pra hyjmë tek ato çështje të cilat na prekin drejtpërdrejt, prekin ekonominë, prekin biznesin. Është i rëndësishëm sepse ka nevojë që bizneset, ndërmarrjet shqiptare të jenë më të integruara në tregun evropian dhe përgatitja fillon që tani nëpërmjet instrumenteve të ndryshëm financiarë, nëpërmjet mundësive që jepen nga institucionet si shqiptare, ashtu edhe ato të Bashkimit Evropian. Shqipëria aktualisht ka avancuar në përgatitjen e legjislacionit e strategjive duke i unifikuar me ato të Bashkimit Evropian, ngelet për t’u parë zbatimi në të ardhmen nëpërmjet mbështetjes konkrete që do të vijë.
Deri tani janë mbyllur kapitujt për arsimin, për kulturën, për mjedisin, për raportet me vendet e unionit në të ardhmen, por gjithsesi janë 33 kapituj. Ndërkohë në Bruksel janë duke përpunuar një lloj strategjie që unë do ta shpjegoj sipas parimit integrim, aderim, por edhe kontroll. Pra edhe ndëshkim, edhe kartoni i verdhë nëse është e nevojshme për vendet kandidate apo jo. Çfarë është kjo lloj strategjie?
Gledis Gjipali: Po, kjo strategji në fakt është më shumë një garanci për vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat janë disi më skeptike. Kjo edhe për faktin e eksperiencave që kanë përjetuar në vitet e fundit ku vende të ashtuquajtura të reja anëtare, sepse kanë mbi 20 vjet në Bashkimin Evropian, kanë pasur problematika, kanë pasur prapambetje në standardet e shtetit ligjor dhe për këtë arsye vendet anëtare nuk duan të përsërisin të njëjtën eksperiencë. Dëshirojnë që të kenë disa garanci shtesë të cilat shkojnë përtej garancive aktuale që ofron Bashkimi Evropian dhe pikërisht këto kanë të bëjnë me pezullimin e votës së vendeve në rast të shkeljeve të ndryshme, vendosjen e masave financiare, pra mungesë në aksesin e fondeve evropiane nëse do të bëjnë hapa mbrapa. Të gjitha këto janë më shumë një garanci për vendet anëtare se sa një problematikë për vendet që synojnë të anëtarësohen, duke ditur që rruga e gjatë në fakt i ka parë këto kushtëzime, i njohin mirë këto kushtëzime të Bashkimit Evropian dhe janë pjesë e zhvillimit të tyre, do të jenë edhe pas anëtarësimit.
Shqipëria është në grupin e gjashtë vendeve që janë zyrtarisht kandidate për të hyrë në Bashkimin Evropian. Mali i Zi është fare pranë; besohet se mund të jetë anëtar i BE-së vitin tjetër. Po ne si jemi në krahasim me vendet e tjera, ku e dimë tashmë që hyjnë edhe Ukraina dhe Moldavia? Si jemi në klasifikim? Si jemi në renditje?
Gledis Gjipali: Shqipëria është pas Malit të Zi, kuptohet për afërsinë me Bashkimin Evropian. Janë bashkuar Moldavia dhe Ukraina në një farë mënyre të nxitura nga efektet gjeopolitike. Siç e dimë, Ukraina është një vend në luftë, nuk mund të bëhet fjalë për një anëtarësim të shpejtë të saj, por procesi po avancon për t’i motivuar, për t’i nxitur. Po ashtu edhe Moldavia ka problematikat e saj, por po mbështetet në këtë proces për të dhënë simbolin e pranisë së Bashkimit Evropian edhe në zonat më të largëta. Ndërkohë që Shqipëria sigurisht pas Malit të Zi pret të shohë hapjen e radhës të kapitujve. Pra nëse ne do të kemi kapituj të tjerë të hapur gjatë këtij viti që janë të rëndësishëm për të arritur objektivin e 2027-s. Ndryshe ky objektiv largohet nëse do të lëmë një numër të madh, siç është aktualisht situata, të kapitujve vetëm për 2027-n. Dhe do të shohim gjithashtu edhe udhërrëfyesin që do të shpallë Komisioni Evropian në fund të këtij muaji për të parë nëse do të kemi një datë të parashikuar për Shqipërinë apo jo, apo do të kemi ende një paqartësi sa i takon afateve dhe do të ngelim vetëm tek ato çfarë Shqipëria është angazhuar në mënyrë të njëanshme për të mbyllur negociatat në 2027-n dhe anëtarësimin në 2030. Gjithsesi Shqipëria është e dytë pas Malit të Zi, por duhet të përshpejtojmë ritmin.
Në Tiranë ka një brengë, sidomos nga radhët e opozitës, për faktin se në këtë proces negociatash, të paktën në publik, në deklaratat publike, në dialogun me BE-në nuk përmenden ngjarjet që sipas opozitës përbëjnë skandal në Tiranë, skandale për korrupsionin apo qoftë edhe situata e tensionuar politike me protestat në rrugë që zgjasin prej 4 muajsh. Si e shpjegon me syrin e ekspertit?
Gledis Gjipali: Po, kjo është një qasje e kujdesshme e Bashkimit Evropian që është aplikuar edhe në vende të tjera. Po të shohim Serbinë për shembull, ka pasur kritika të ngjashme edhe atje. Por duhet të dallojmë Komisionin Evropian i cili shtyn përpara procesin e zgjerimit dhe i cili bën vlerësimin e vendit, dhe vendet anëtare që mund të kenë edhe opinione të ndryshme dhe i shprehin nëpërmjet vendimmarrjes së tyre në tryezat e Këshillit ku diskutohet Shqipëria dhe ku aty përcaktohet edhe ritmi i avancimit të Shqipërisë nga hapja e kapitujve apo moshapja e tyre. Prandaj është një qasje e kujdesshme e Komisionit Evropian, e shoh si një proces normal të zhvillimit të marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, ku ato mbajnë një qëndrim të barazlarguar nga politika apo nga ngjarjet e ditës dhe reagojnë në mënyrë më afatgjatë dhe më largpamëse, po thoshim, nëpërmjet instrumenteve që ata kanë, si raportet vjetore apo pozicionet negociuese ku përcaktojnë edhe ato shinat se ku vendi ka lëvizur dhe ku duhet të ecë.
/vizionplus.tv




