“Shqipëria është kthyer në fushëbetejën e fuqive të huaja”, shpërthen protestuesi: Politika na ka tradhtuar, jam në rrugë për familjen

Prej tre ditësh, rrugët e Tiranës janë shndërruar në arenë luftimesh mes policisë dhe protestuesve. Po pse po protestojnë shqiptarët?
Në një lidhje me studion e “Të Paekspozuarit” të moderatorit Ylli Rakipi në Vizion Plus, protestuesi Erald Ndoji tha se ai ka dalë në protestë për familjen dhe për sovranitetin e Shqipërisë.
Sipas tij, sot në Shqipëri po bëjnë luftë fuqitë e huaja, ndërsa shtoi se asnjë forcë politike nuk meriton të qeverisë.
Erald Ndoji deklaroi se ai dhe protestues të tjerë janë të gatshëm të japin jetën për Shqipërinë.
Pjesë nga biseda:
Rakipi: Je protestues nga Flamingot, tani je dhe te kjo revoltë, pse ke dalë dhe çfarë po ndodh aty?
Erald Ndoji (protestues): Jam në protestë jo për Flamingot, as për Zvërnecin. Unë jam në protestë për Republikën e Shqipërisë, është cenuar sovraniteti, është cenuar familja, prona. Situata në Shqipëri është kaotike, ju e dini më mirë se unë. Në Shqipëri po bëhet luftë e fuqive të huaja. Unë kam lutur Zotin dhe kam besimin se Shqipëria ka pasur shumë fatkeqësi 100 vitet e fundit.
Rakipi: Ju jeni një njeri i shpallur i PD-së, sa prezente është PD-ja?
Erald Ndoji (protestues): Unë jam 41-vjeç, unë kam pasur protesta dhe nga PD-ja dhe nga PS-ja. Unë e urrej dhe e neveris klasën politike nga ’91-shi në ’96-ën. Të gjitha partitë politike nuk janë shqiptare. Shumë më e mirë PD-ja se PS-ja. Kanë vjedhur aq sa kanë ditur. Vjedhjet që janë bërë në pasuritë e shqiptarëve nga 2013 e deri tani janë mbi 100 miliardë euro. Unë nuk kam qenë kurrë anëtar i asnjë partie politike.
Rakipi: Po pse ta fusin ty?
Erald Ndoji (protestues): Kush më njeh mua, nuk kam frikë. Edhe me qenë me Enver Hoxhën, them jam. PS-ja më është afruar, por e kam refuzuar. Te PD-ja nuk e gjej veten.
Rakipi: Pse e përdor maskën?
Erald Ndoji (protestues): Sepse është hedhur shumë gaz.
Rakipi: Ju kërkoni dorëheqjen e Edi Ramës, deri ku jeni të gatshëm të shkoni?
Erald Ndoji (protestues): Jemi gati me e dhënë jetën. Ne nuk kemi as kallashnikov, ne e kemi fuqinë në shpirt.
Rakipi: Ti do shkosh deri në fund?
Erald Ndoji (protestues): Unë nuk jam për veten time. Kjo qeveri plehrë, megjithë atë qeverinë tjetër plehrë, kanë promovuar krimin që në 2007-ën. Të gjitha partitë politike janë antishqiptare në thelb. PD-ja ka 35 vjet në PD, 3 produkte janë më famozët: Argita Berisha, Jamarbër Malltezi dhe Lul Basha. Doktori duhet të hapë krahun. PD-ja ka dështuar me sukses të gjejë një person të duhur.




