Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video-mesazh në rrjetet sociale, ku ka reaguar mbi debatet e fundit për çështjet mjedisore në vend. Rama është ndalur te renditja e Shqipërisë në Environmental Performance Index 2026, duke deklaruar se vendi është renditur i pari në Ballkanin Perëndimor dhe i 46-ti nga 177 vende në botë.
Sipas kryeministrit, kjo renditje tregon progresin e bërë nga Shqipëria në 10 vitet e fundit, ndërsa ai theksoi se mbrojtja e natyrës duhet të ecë paralelisht me zhvillimin ekonomik.
“Për javë të tëra u krijua përshtypja se Shqipëria ishte kthyer në armiken e natyrës së vet. U ndanë miliona imazhe, akuza, gjykime dhe bindje të cekëta dhe për një çast u duk se zhurma triumfoi mbi realitetin.
Por realiteti flet. Environmental Performance Index 2026, indeksi më prestigjioz për performancën mjedisore sapo e ka renditur Shqipërinë të parën në Ballkanin Perëndimor, të 46-tën nga 177 vende në botë, me progresin më të madh në rajon gjatë 10 viteve të fundit”, tha Rama.
Ndërsa për zbutjen e ndryshimeve klimatike Shqipëria renditet e 21-ta në botë.
“Këto nuk janë vlerësimet që ne i kemi bërë vetes, por janë përfundimet e institucioneve ndërkombëtare dhe akademike të cilat prej një çerek shekulli matin performancën mjedisore të vendeve të botës”, tha Rama.
Rama tha se ndryshimi i Shqipërisë në aspektin mjedisor është i dukshëm krahasuar me të kaluarën, duke përmendur problemet me prerjet e pyjeve, ndotjen e lumenjve dhe mungesën e kapaciteteve shtetërore për mbrojtjen e natyrës.
“Mua më shumë më gëzon fakti se kjo renditje tregon rrugën që ne kemi bërë. Nuk kanë kaluar shumë vite që Shqipëria ishte vendi i prerjeve barbare të pyjeve, gjuetisë së egër, i lumenjve të kthyer në vendgrumbullime mbetjesh dhe një shteti që shpesh nuk kishte as mundësi, as instrumenta, as kulturën për të mbrojtur natyrën. Sot jemi një vend tjetër edhe në këtë aspekt. Madje kemi arritur deri aty sa të zhvillojmë protesta të mëdha për mjedisin”, tha shefi i qeverisë.
Kryeministri vlerësoi edhe protestën e qytetarëve për çështjet mjedisore (Protesta për Zvërnecin), duke e cilësuar si një ndryshim të rëndësishëm të shoqërisë shqiptare.
“Kjo është një arritje e madhe e shoqërisë sepse prania e aq shumë njerëzve që shqetësohen për flamingot, pyjet, apo biodiversitetin tregon se bashkë me Shqipërinë që ka ndryshuar edhe shoqëria shqiptare ka ndryshuar. Kjo është fitore. Një shoqëri që debaton për natyrën është shumë më përpara se sa një shoqëri që e sheh në heshtje shkatërrimin e saj”, tha shefi i qeverisë.
Rama tha se nuk i konsideron qytetarët që mbrojnë natyrën si armiq dhe nënvizoi se zhvillimi nuk duhet të përdoret si justifikim për dëmtimin e mjedisit.
“Unë nuk kam parë kurrë armiq tek ata që e duan natyrën. Ata na kujtojnë se zhvillimi nuk duhet të jetë kurrë një justifikim për të harruar atë që na është besuar nga e shkuara dhe që duhet t’ia dorëzojmë më të mirë brezave që i përkasin të ardhmes.”
Kreu i qeverisë pranoi se edhe institucionet kanë bërë gabime dhe se ka ende nevojë për përmirësime në politikat mjedisore.
“Kush qeveris nuk mund të pretendojë se ka gjithmonë të drejtë. Edhe ne kemi gabuar, kemi shumë për të mësuar, kemi shumë për të përmirësuar. Ky raport nuk është një medalje për t’ia përplasur në fytyrë atyre që mendojnë ndryshe nga unë, por një kujtesë se duhet të dëgjojmë më shumë dhe të mbrojmë edhe më me vendosmëri ekuilibrin mes zhvillimit dhe natyrës, duke mos i harruar kurrë faktet”, tha Rama.
Në fund të mesazhit të tij, Rama u shpreh se integrimi europian i Shqipërisë kërkon një zhvillim ku ekonomia dhe mjedisi ecin së bashku.
“Shqipëria europiane nuk ndërtohet as duke zgjedhur mes ekonomisë dhe mjedisit dhe as duke e zgjedhur mes zhurmës dhe fakteve. Ajo ndërtohet duke i bërë të ecin së bashku ekonomia, mjedisi dhe faktet. Dhe nëse sot bota na thotë se kemi bërë një rrugë kaq të gjatë për mirë, përgjigja e mençur nuk është thjesht krenaria për rrugën e bërë, por është përulësia për të pranuar se kemi ende një rrugë të gjatë për të bërë dhe po ashtu vendosmëria për ta bërë atë edhe shumë më mirë. Ky është detyrimi ynë ndaj Shqipërisë dhe kjo është fjala ime pas një raporti që më bën sinqerisht krenar për gjithçka kemi bërë. Por nga ana tjetër, më bind se reflektimi i premtuar për atë që na vuri përpara pasqyra e bulevardit të flamengove është jo vetëm i nevojshëm, por i domosdoshëm dhe së shpejti do ta keni dhe atë”, përfundoi Rama.





