“Shqipëria e ka ngritur kokën më lart se asnjëherë”, Rama: Protestat të insekuara nga ustallarë që jetojnë jashtë

Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar protestat e dhunshme të ditëve të fundit si një përpjekje të inskenuar nga persona që, sipas tij, nuk ndodhen në Shqipëri dhe nuk e duan vendin.
Rama u shpreh se protestat vijnë në një moment kur Shqipëria po përparon dhe po i afrohet aspiratave të saj historike.
Ai bëri dallimin mes pakënaqësive të të rinjve dhe studentëve, të cilët kërkojnë më shumë mundësi dhe ndryshim, dhe grupeve të maskuara që, sipas kryeministrit, kanë marrë drejtimin e përplasjeve në bulevard.
Rama ngriti gjithashtu akuza për përdorimin e të miturve në vijën e parë të protestave, duke deklaruar se kjo e vështirëson reagimin e policisë ndaj akteve të dhunshme.
Rama: Kjo është një flamë. Një përpjekje e madhe për të bërë atë që i ka ndodhur këtij vendi sa herë që ka pasur vendin në histori të ngrejë kokën dhe të marrë frymë. Ndërkohë që e ka ngritur kokën më lart se asnjëherë tjetër në historinë e vet dhe ndërkohë që është më afër se kurrë ëndrrës historike, i vjen kjo formë terrorizuese murtaje, e gjitha e inskenuar nga ustallarë që e kam thënë që ditën e parë, të cilët nuk janë në Shqipëri dhe nuk e duan Shqipërinë.
Rinia është e inatosur, studentët duan më shumë, duan ndryshim. Kanë gjithmonë dhe e kanë dashur, gjithmonë do ta duan, është në natyrën e qenies së tyre, por me keqardhje të madhe them që kjo rini dhe këta studentë që janë në Bulevard janë pengje të atij grupit të zjarrit atje në krye, të atyre me maska, ku përdoren gjerësisht edhe të miturit. Të miturit si ato mburojat për të përparuar, për të marrë terren, duke ia bërë të pamundur policisë që të reagojë me forcë me fëmijë të vegjël.




