Në një seancë historike Parlamenti i Shqipërisë dhe i Kosovës zhvilluan për herë të parë mbledhjen e përbashkët në Prishtinë.
Presidentja Osmani e quajti prosperitetin e përbashkët detyrë të të gjithëve. Kryeministri Rama bëri thirrje për normalizim të marrëdhënieve me Bashkimin Europian. Ndërsa Albin Kurti vuri në dukje masat që lehtësojnë jetesën e shqiptarëve në dy anët e kufirit.
Por cilat ishin mesazhet kryesore që u përcollën gjatë mbledhjes së dy parlamenteve? Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Prishtina për të folur rreth kësaj seance, në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus me gazetarin Erion Zeqiraj ishte analisti Ylli Hoxha.
Intervista e plotë:
Cilat ishin mesazhet kryesore të mbledhjes së dy parlamenteve?
Hoxha: Mesazhi kryesor që pamë nga ky teatro politik që na bënë në Prishtinë ishte se u adaptuam fare lehtë, do të thotë nuk e trajtuam shumë gjatë njëri-tjetrin si mysafir, por e trajtuam si vëllezër të vërtetë duke shkëmbyer edhe sulme, edhe thumbime, edhe gjëra të cilat nuk do të duhet të ndodhnin në marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Shqipërisë sidomos në një ditë të tillë festive për të kremtuar një lloj bashkimi politik mes dy vendeve.
-Mesa duket edhe ky takim nuk shërbeu për të ulur klimën e tensionuar mes dy kryeministrave, e cila kohët e fundit nuk ka qenë dhe aq e mirë.
Hoxha: Absolutisht jo! Ajo e normalizoi konfliktin duke e bartur nga njëfarë lloj diplomacie e fshehur te një komunikim direkt në parlamentet e ndërsjellta. Nuk është gjë e keqe, mendoj se duhet të shprehemi dhe të kemi qartësi në pozicione, por duhet të kemi parasysh se interesat kombëtare duhet të jenë më të rëndësishme se protagonizmi individual i politikanëve në Prishtinë apo Tiranë. Po shohim se dy kryeministrat nuk kanë ndërmend ta bëjnë prioritet interesin para egoizmit të tyre, të cilin e shpërfaqin herë pas here. Nuk e prisja se në seancë të tillë solemne do të ketë këmbime të tilla.
-Çfarë ndihme pret Kosova nga Tirana, pasi edhe në Kosovë flitet për një ndihmë që duhet t’i japë. Por për çfarë bëhet fjalë?
Hoxha: Tirana duhet të dëgjonte më mirë Prishtinën kur të bëhet fjalë për Beogradin, për lëshimet që i kërkohen Kosovës ndaaj Beogradit në dialog, të ketë më shumë mirëkuptim ndaj frenimit që kemi ne si politikë, ndaj çështjeve të caktuara. Në Kosovë bëhet fjalë për lëshimin, që do të nënkuptonte një autonomi territoriale për serbët në Kosovë dhe Kosova ka këmbëngulur që kjo mos të bëhet pa këmbim. Pra të arrihet kjo autonomi në një Serbi që pranon marrëveshjen në tërësi dhe në mënyrë de facto e pranon dhe Pavarësinë e Kosovës. Nga zoti Rama dëgjuam se ne këto lëshime t’i bëjmë pa marrë parasysh sjelljen e Serbisë, me përfitimin se nga këto sjellje ne përfitojmë në procesin e integrimit evropian. Zoti Rama harron se nuk është hera e parë që Kosova bën lëshimë unilaterale. Tani kërkohet sërish një lëshim, mund t’i kërkohet në të ardhmen edhe një lëshim tjetër sepse Kosovës në anën tjetër nuk i jepet asnjë garanci se këto ndryshime do të nënkuptonin progres të majftueshëm për anëtarësim në NATO dhe në BE. Përkundrazi kemi një sjellje të BE që mban sanksione ndaj Kosovës. Pra sanksionon Kosovën për shkak të pranisë në veri, ndërsa dënon Serbinë se bën sulme terroriste. Një sjellje e shthurrur politike të cilën zoti Rama na sugjeron që t’i besojmë. Në Prishtinë ka dyshime se a guxojmë t’i besojmë qorrazi një zhvillimi të tillë./vizionplus.tv





