Së paku 100 të vrarë dhe më shumë se 4.000 të plagosur është bilanci i shpërthimit që ndodhi në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, më 4 gusht.
I gjithë qyteti u trondit nga shpërthimi, i cili ndodhi në pjesën ku ndodhet porti.
Incidenti shkaktoi dëme të shumta materiale, duke e bërë qytetin e Lindjes së Mesme të ngjante me një zonë të luftës. Ministri i Shëndetësisë, Hamad Hassani tha se numri i viktimave pritet të rritet.
Nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi shpërthimin.
Presidenti i Libanit, Michel Aoun, tha se 2,750 ton kimikate bujqësore ishin ruajtur në mënyrë të pa sigurtë në një depo për gjashtë vjet.
Ai caktoi një takim urgjent të kabinetit për të mërkurën, duke thënë se duhet të shpallet një gjendje e jashtëzakonshme dy-javore.
Zyrtarët thanë të martën se kanë filluar një hetim për të gjetur shkakun e saktë të shpërthimit. Këshilli i Lartë i Mbrojtjes në Liban tha se ata që janë përgjegjës do të përballen me “dënimin maksimal” të mundshëm.
Vendi do të jetë në zi kombëtare për tre ditë. “Ajo që ne po shohim është një katastrofë e madhe”, tha kreu i Kryqit të Kuq të Libanit George Kettani për mediat lokale.
Në rrjetin social Twitter, qytetarët kanë postuar pamje të momentit të shpërthimit./R.E.L