TIRANË – Policia e Tiranës ka shoqëruar disa persona në kuadër të hetimeve për shpërthimin e ndodhur në pikën e karburantit “Eida”.
Në Komisariatin Nr. 1 janë shoqëruar administratori i pikës së karburantit, drejtuesi teknik dhe menaxheri. Në pyetje janë marrë gjithashtu punonjës të pikës, si dhe drejtuesi i automjetit që po furnizohej me gaz në momentin kur ndodhi shpërthimi.
Lexo edhe :
Related Posts
Paralelisht me marrjen në pyetje të personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen, grupi hetimor po verifikon edhe dokumentacionin e pikës së karburantit.
Në fokus të verifikimeve janë aktiviteti i subjektit, kontrollet e kryera dhe lejet apo dokumentacioni përkatës që kërkohet për ushtrimin e këtij aktiviteti, me qëllim përcaktimin nëse janë respektuar rregullat e sigurisë.
Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat dhe shkakun e shpërthimit, si dhe për të përcaktuar nëse ka përgjegjësi konkrete për ngjarjen.
Si ndodhi ngjarja
Ngjarja u regjistrua mëngjesin e sotëm, 9 shtator, në zonën e Brrylit te pika e karburantit “Eida”.
Shpërthimi u shkaktua nga një bombol e pikës së karburantit, e për pasojë u shemb një godinë njëkatëshe.
Nga shpërthimi tre persona mbetën të lënduar, ndërsa fatmirësisht nuk u shënuan viktima.
Si paraqitet gjendja e të lënduarve?
Ministria e Shëndetësisë ka dhënë informacion zyrtar për gjendjen e të lënduarve.
“Tre personat e dëmtuar si pasojë e shpërthimit të ndodhur në një karburant pranë zonës së “Brrylit”, Tiranë, janë paraqitur për trajtim mjekësor në Spitalin Universitar të Traumës.
Pacientët V. H., R. A. dhe A. XH. ndodhen në gjendje shëndetësore të stabilizuar dhe janë nën kujdesin e ekipit mjekësor të Spitalit Universitar të Traumës.
Aktualisht, po kryhen ekzaminimet e nevojshme dhe vlerësimi i mëtejshëm i gjendjes së tyre shëndetësore, në përputhje me protokollet mjekësore”, thuhet në njoftim.
Edhe Shkëlqim Goxhaj, drejtori i Zjarrfikëses në Tiranë dha detaje në lidhje me shpërthimin bombolës së gazit në pikën e karburantit te zona e Brrylit.
Goxhaj tha se shpërthimi ka ndodhur në zyrat e kompanisë. Ai shtoi se shkak dyshohet rrjedhja e gazit. Shtoi se çdo gjë është vënë nën kontroll për pak minuta.
“Shpërthimi ka ndodhur në zyrën e karburantit. Ka pasur edhe flakë. Kjo ka ndodhur nga shpërthimi. Menjëherë shërbimet zjarrfikëse kanë mbyllur rrjedhjen e gazit. Shkak për ngjarjen është rrjedhja e gazit. Në pak minuta, janë izoluar flakët dhe situata u vendos nën kontroll. Masa e flakëve nuk ka qenë shumë e madhe”, tha Goxhaj.
Një tjetër version paraprak vjen nga Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial. Pas verifikimeve në vendin e ngjarjes, ISHTI përjashtoi shpërthimin e depozitave të karburantit dhe ngriti dyshimin se zjarri mund të ketë nisur nga një automjet brenda territorit të stacionit dhe më pas të jetë shoqëruar me shpërthim.
“Nga vlerësimi paraprak i grupit të inspektimit të ISHTI-t në stacionin e shitjes me pakicë të karburanteve “Skënderi G” sh.p.k., me vendndodhje te Brryli, Tiranë, rezulton se nuk ka pasur shpërthim të rezervuarëve të karburanteve. Dyshohet se zjarri ka nisur nga një automjet në territorin e stacionit të karburanteve, i cili është shoqëruar edhe me eksplozion” tha ISHTI në një reagim paraprak nga mediat./vizionplus.tv






