Një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar pranë zonës ku u zhduk më 15 nëntor, nëndetësja argjentinase “San Juan”, me 44 persona në bord.

 

Një zëdhënës i marinës sqaroi për mediat se në Atlantikun e Jugut, shumë pranë vendit ku nëndetësja dërgoi sinjalet e fundit, është dëgjuar një zhurmë jonormale dhe e fuqishme, por jo bërthamore.

 

Informacioni për shpërthimin u regjistrua nga një bazë vëzhguese bërthamore austriake.

 

Dhjetëra shtete, si Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Mbretëria e Bashkuar, ne bashkëpunim edhe me NASA-n, i janë bashkuar ekipeve në misionin e kërkimit të nëndetëses, e cila pak para zhdukjes raportoi një defekt elektrik. Marina sqaroi ndërkohë se një zhurmë e tillë hidro-akustike, u dëgjua të mërkurën e 15 nëntorit, pak para zhdukjes së nëndetëses.

 

Kjo shton dyshimet se “ARA San Juan”, mund të jetë goditur.

 

Duket se fati i anëtarëve të ekuipazhit të nëndetëses së humbur, është fundosur së bashku me mjetin lundrues.

 

Nga ana tjetër, familjarët dhe të afërm të ekuipazhit kanë akuzuar qeverinë, duke thënë se mungesa e investimeve dhe korrupsioni në forcat e armatosura, ka sjellë mungesën e sigurisë në nëndetëse.

 

Zyrtarët njoftuan se nëndetësja ARA San Juan, ka pasur oksigjen të mjaftueshëm për ekuipazhin në bord vetëm për shtatë ditë.

 

Marina mohon ta pranojë zyrtarisht vdekjen e ekuipazhit, megjithatë familjarët çdo anëtari të ekuipazhit janë lajmëruar për humbjen e të dashurve të tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *