Shpërthim me lëndë plasëse në Ishull-Lezhë, dëmtohet çatia e një magazine

Lezhë – Një shpërthim i dyshuar me lëndë plasëse është regjistruar rreth mesnatës në Ishull-Lezhë, ku si pasojë janë shkaktuar dëme materiale në çatinë e një ndërtese që përdorej për mbajtjen e materialeve shtëpiake.
Sipas informacionit paraprak, rreth orës 00:05, shtetasi B. Sh., 65 vjeç, banues në Ishull-Lezhë, ka njoftuar se çatia prej llamarine e ndërtesës në pronësi të tij ishte dëmtuar, dyshohet si pasojë e përdorimit të lëndës plasëse.
Fatmirësisht, nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet e konstatuara janë materiale.
Grupi hetimor vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit apo autorëve të dyshuar.




