Policia e Korçës ka finalizuar operacionin antidrogë të koduar “Split” dhe ka vënë në pranga një 21-vjeçar.
Blutë njoftojnë se u arrestua në flagrancë shtetasi F. L., 21 vjeç, banues në Korçë, i cili dyshohet se shiste doza kanabisi në lagjen nr. 8 të qytetit.
Gjatë kontrollit fizik ndaj tij, u sekuestruan doza të gatshme për shitje, një telefon celular dhe një shumë parash e dyshuar si e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.
Po gjatë operacionit, u kap në flagrancë edhe një 29-vjeçar, M. K., gjithashtu banues në Korçë, me doza kanabisi që dyshohet se ia kishte blerë 21-vjeçarit. Ndaj tij nisi procedimi penal në gjendje të lirë.
Policia e Korçës thekson se kontrollet intensive kundër shpërndarjes së drogës në zona të banuara do të vijojnë pa ndërprerje./vizionplus.tv





