Ndërsa bota perëndimore vazhdon të shqetësohet për gjendjen e autorit britaniko-indian, Salman Rushdie duket se gjendja e tij po përmirësohet. 75-vjeçari iu nënshtrua një operacioni urgjent në një klinikë në Erie, Pensilvani, por nuk është më në frymarrje artificiale. Ai ka filluar të flasë përsëri, tha agjenti i tij letrar Andrew Wylie për gazetën New York Times. Rushdie me siguri do të humbasë një sy. Përveç kësaj, janë prekur edhe disa nerva në krah dhe është dëmtuar mëlçia. Sulmuesi goditi me thikë autorin e “Vargjeve Satanike” dhjetë herë gjatë sulmit të së premtes, raportoi New York Times, duke cituar hetuesit. Burri e goditi Rushdie disa herë në qafë dhe stomak.

Motivi i sulmuesit për momentin nuk dihet. Sipas policisë bëhet fjalë për 24-vjeçarin Hadi M. nga Fairfield, New Jersey. Ai po mbahet në paraburgim me akuzat për tentativë vrasjeje të shkallës së dytë dhe sulm të shkallës së dytë pa asnjë mundësi lirimi me kusht. Vrasja e shkallës së dytë është një vepër më vete në sistemin ligjor të SHBA. Ai mund të dënohet me shumë vite burg. Ndërkohë, i dyshuari u deklarua i pafajshëm në një gjykatë në Nju Jork. Sulmuesi u pushtua nga shikuesit dhe u arrestua nga një oficer policie që ishte i pranishëm. Nuk dihet asgjë për motivin e tij.

Familja e M. me sa duket vjen nga një fshat në Libanin jugor. I riu u hodh mbi autorin britaniko-indian në skenën e një qendre kulturore në qytetin e vogël Chautauqua dhe e goditi me thikë në qafë dhe në stomak.

Shqetësim në Perëndim, gëzim në Iran

Sulmi brutal me thikë shkaktoi shqetësim të thellë në botën perëndimore. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres, kryeministri britanik Boris Johnson, presidenti francez Emmanuel Macron si dhe autoritetet gjermane e denuan njëzëri sulmin. Kancelari Olaf Scholz foli për një “akt të neveritshëm” dhe vlerësoi përkushtimin e Rushdie për lirinë e shprehjes: “Bota ka nevojë për njerëz si ju që nuk frikësohen nga urrejtja dhe që pa frikë ngrihen për lirinë e shprehjes”.

Ngjashëm është shprehur edhe Joe Biden. Presidenti amerikan vlerësoi “refuzimin e Rushdie për t’u frikësuar ose heshtur”. Rushdie ka qenë i persekutuar nga fanatikë fetarë për dekada. Udhëheqësi i atëhershëm revolucionar iranian Ayatollah Khomeini bëri thirrje që autori të vritej për shkak të veprës së tij “Vargjet Satanike” të vitit 1988.

Pas sulmit me thikë, gazeta ultra-konservatore iraniane “Kayhan” e festoi autorin si një “burrë trim” që i “hapi qafën me thikë” të “padurueshmit” Rushdie. Ngjashëm kanë shkruar edhe media të tjera në Iran, e mbështetje të sulmit ka pasur edhe në Pakistan./DW

Leave a Reply

Your email address will not be published.