Shërbim për Çështjet e Brendshme do të shkrihet dhe do të quhet Agjenci e Mbikëqyrjes Policore e cila do të jetë në varësi të Ministrisë së Brendshme.

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, foli për projektligjin për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore në mbledhjen e sotme në Komisionin e Ligjeve.

Do jetë një Agjenci Inteligjente për të luftuar korrupsionin dhe për të parandaluar veprimtarinë e paligjshme në radhët e subjekteve të Agjencisë. Transformimin e Agjencisë drejt një modeli më demokratik dhe institucional. Sa i takon risive të projekt/ligjit, në radhë të parë është zgjeruar fusha e përgjegjësisë. Tashmë sot ajo që quhet SHÇBA dhe pas miratimit të ligjit do të quhet Agjenci në fushën e përgjegjësisë do të shtohen dhe subjekte të tjera si Garda e Republikës apo Shërbimi Zjarrfikës përveç Policisë së Shtetit që është deri më tani. Edhe ndryshimi i emrit ka kuptimin e vet.’- tha Çuçi.

Gjatë fjalës së tij Çuçi tha se nga inspektimet e bërë nga SHÇBA në Policinë e Shtetit ka evidentuar probleme që kërkojnë përfshirjen e sektorit të certifikimit.

“Disa nga problematikat shqetësuese që lidhen me procesin e pajisjes me certifikatë është se nuk ndiqen afatet e pajisjes me certifikatë dhe krijohen periudha të pambuluara. Po ashtu subjektet e agjencisë nuk kanë krijuar një databasë për të kontrolluar punonjësit që nuk janë pajisur me certifikatë apo që u ka mbaruar afati”, tha ai.

Çuçi theksoi se këto problematika kanë ndikuar drejtpërdrejt në implikimin e punonjësve të policisë në situata korruptive.

“I gjithë procesi që çon në marrjen e certifikatës do të udhëhiqet nga agjencia dhe do të shkëputet nga policia, ndërsa ekzaminimi poligrafik ka lindur si detyrim për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, u shpreh ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *