Shkencëtarë të mbështetur nga Agjencia Amerikane për Oqeanet dhe Atmosferën, NOAA, njoftuan të martën se “zona e vdekur” e krijuar këtë vit në Gjirit të Meksikës është më e madhe se ç’ishte parashikuar. Kjo zonë me një sipërfaqe prej 16,000 km katrore është më e madhe se Liqeni i Ontarios dhe Liqeni Erie të marrë së bashku.

NOAA kishte parashikuar në qershor se do të krijohej një zonë hipoksike, me pak ose aspak oksigjen për të ofruar kushte jetese për gjallesat nënujore, me një shtrirje prej 12,600 km katrore, e cila do të ishte më e vogël se sipërfaqja e krijuar gjatë pesë viteve të fundit. Por në realitet “zona e vdekur” rezultoi shumë më e madhe.

Shkencëtarët nga Universiteti Shtetëror i Luizianës mblodhën të dhëna nga zona e vdekur, duke matur nivelin e oksigjenit dhe përqëndrimin e kripës. Këto prova kanë rëndësi kritike për punën e NOAA-s për të modifikuar modelet kompiuterike që bëjnë parashikime mbi metodat dhe faktorët që ndikojnë për të zvogëluar këtë zonë të vdekur.

Zgjerimi i zonës besohet se është shkaktuar nga ndotës kimikë që përdoren në ferma si dhe në jetën urbane dhe derdhen në Gji përmes Lumit Misisipi. Këto substanca rezultojnë në shtimin e algave që thithin oksigjenin e zonës. NOAA punon për mbrojtjen e mjediseve ku gjallon jeta e egër në oqeane e dete, pasi janë kritike për peshkimin.

Grupi i Punës për Lumin Misisipi dhe Gjirin e Meksikës i përdor të dhënat për të analizuar përqëndrimin e lëndëve kimike ndotëse në ujëra. Në bashkëpunim me fermerët dhe bizneset e zonave nga rrjedhin lumejtë, ata dalin me projekte për të përmirësuar cilësinë e ujit./ VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *