Shkatërrime të mëdha nga protestat, dëmtohen qindra biznese private si dhe prona publike

“Pas çdo flake, ka një dëm. Dhe pas çdo dëmi, dikush që duhet të paguajë. Ky biznes sot është kthyer në hi, semaforët janë shkatërruar, kamerat e sigurisë janë thyer dhe institucionet publike janë përfshirë nga flakët. Por kur protesta lë pas shkatërrim, faturën nuk e paguajnë vetëm ata që protestojnë. E paguan biznesmeni që duhet të rindërtojë nga e para dhe qytetari, që në fund të ditës, do të paguajë për dëmet e shkaktuara.”
Përshkallëzimi i tubimeve gjatë ditëve të fundit ka sjellë dëme të konsiderueshme materiale.
Deri më tani, numërohen qindra biznese të shkatërriar pjesërish ose plotësisht.
Ndër më të prekurat janë ato që ushtrojnë aktivitetin në katet e para të ndërtesave, përfshirë banka të nivelit të dytë dhe institucione mikrofinanciare.
Por dëmet nuk janë kufizuar vetëm në këto subjekte. Dyqane veshjesh, kioska dhe biznese të tjera që ndodhen përgjatë akseve kryesore dhe në kryqëzime janë përfshirë nga flakët ose janë shkatërruar. Një faturë të rëndë që rëndon tek biznesmenët dhe të vetëpunësuarit.
Dëmet nuk kanë kursyer as pronën publike. Gurët, zjarret dhe shufrat e hekurit kanë shkatërriar edhe elementet që shërbejnë për rregullimin e trafikut dhe monitorimin e hapësirave publike.
Semaforët dhe kamerat e sigurisë janë dëmtuar në masë të konsiderueshme. Një pjesë e tyre kanë mbetur të varura, ndërsa të tjera janë shkëputur dhe kanë përfunduar në tokë.
Edhe mjetet e Bashkisë, koshat e mbeturinave dhe sinjalistika rrugore janë kthyer në objekte shkatërrimi, duke dalë jashtë funksionit të tyre të përditshëm.
Ky është bilanci i dëmeve që duhet të përballohen jo vetëm nga bizneset private të prekura, por edhe nga qytetarët, të cilët kontribuojnë përmes taksave në riparimin e pronës publike.




