Vala e prishjes së ndërtimeve pa leje në Parkun Kombëtar të Thethit ka përfshirë edhe drejtuesit më të lartë të uniformave blu në Shkodër, që janë konsideruar përgjegjës për këtë situatë paligjshmërie.
Vetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, lajmëroi sot shkarkimin nga detyra të drejtorit të Policisë së Shkodrës si dhe shefit të Komisariatit.
“Nëse shefi i Komisariatit nuk do të dijë jo se sa veprime pa leje mbi territorin janë bërë gjatë 24 orëve të fundit, por deri edhe se sa karrige lokalesh jashtë apo çadra plazhi të lejuara ka në territorin e mbuluar prej strukturës së tij, atëherë ai nuk do të rrijë më në atë detyrë”, tha ai.
Proda tha se ky është një mesazh i qartë për të gjithë Drejtorët Vendorë të Policisë në qarqe, të cilët do të mbajnë përgjegjësi direkte nëse mbyllin sytë apo nuk kanë dijeni mbi atë që ndodh në territorin në varësi të tyre.
Sipas tij, nuk do të falet asnjë rast që ata nuk e konstatojnë vetë përpara se ta vërejë i gjithë komuniteti.
Por nuk mbaron këtu, masa të forta do të ketë edhe për parkimet e dyfishta.
“Parkimi i dyfishtë në rrugë nuk do të konsiderohet më si një “shkelje e lehtë” thjesht administrative, por si një bllokim i kalimit të mjeteve që cenon sigurinë e qytetarëve dhe kufizon dhunshëm të drejtën e tyre për të lëvizur lirisht. Strukturat policore do të kryejnë veprimet hetimore duke e trajtuar parkimin e dyfishtë si vepër penale bazuar në nenin 293 të Kodit Penal”, tha Proda.
Me të gjithë respektin për drejtuesit e automjeteve, tha Proda, qyteti është në radhë të parë i këmbësorëve dhe me gjithë mirëkuptimin për vështirësitë e parkimit, rruga është për të qarkulluar, jo për të parkuar në mes të saj.
Ky fenomen i shëmtuar dhe i rrezikshëm, sipas drejtorit të Policisë, do të zhbëhet, me çdo kusht.
/vizionplus.tv





