Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Fatbardh Kadilli tha se shkarkimi i kryebashkiakut Erion Veliaj nuk ka asnjë pengesë ligjore.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Aleksandër Furxhi, Kadilli deklaroi se shkarkimi i Veliajt është një vendim politik i mazhorancës.
Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së tha se figurat politike në opozitë që heqin dorë nga gara për Bashkinë e Tiranës, tregojnë që nuk e kuptojnë politikën dhe që nuk e meritojnë as atë votë që kanë marrë.
INTERVISTA E PLOTË:
Si e kupton këtë që po ndodh me kryebashkiakun Erion Veliajn?
Kadilli: Vendim politik i mazhorancës i shpallur nga vetë Rama. Nga aspekti ligjor nuk mendoj se ka ndonjë pengesë shumë të madhe, përderisa ligji për pushtetin lokal nuk e përcakton mungesën me arsye apo pa arsye të kryetarit në detyrë më shumë se 3 muaj. Ndoshta nuk ka pengesë ligjore, por është projektimi politik, vendim i Ramës për t’u përjashtuar nga rasti i çështjes Veliaj dhe akuzat e tij dhe nevoja për të pasur një kryetar bashkie në Tiranë, nevojë që ju intereson të gjithëve.
Sa e rëndësishme është për opozitën në rast se përfundon ky proces me shkarkimin e Veliajt?
Kadilli: Opozita bëri mirë që u shkëput nga tradita e sjelljes hileqare që i merrte krahun Veliajt se mjafton që ishte kundër Ramës. Nëse opozita ka qenë kundër Veliajt ka qenë për arsye morale, etike dhe ndoshta edhe ligjore. Nuk mundet të bëhesh me Veliajn kundër Ramës. Pra qëndrueshmëria morale e opozitës është në sfidë nëse përdorim kundërshtitë brenda PS për avantazh opozitar.
Te PD ka një hezitim për disa figura që do ishin kandidatura të mira për bashkinë e Tiranës. A është kjo shprehje e një lloj frike për atë që do jetë humbja e radhës, apo thjesht shprehje e respektimit të një lloj protokolli politik brenda PD?
Kadilli: Janë disa persona që kanë marrë mbështetje në Tiranë. Tregojnë që nuk e kuptojnë politikën, tregojnë që nuk e meritojnë as atë votë që kanë marrë. Se të sillesh si djalë i mirë ose vajzë e mirë në politikë nuk është asgjë. Duhet të flasësh me aksione. Do ishte nder për këdo për një bashki si Tirana. Ai që i shmanget tregon që vetëm politikan nuk është.
Ka filluar sezoni i ri parlamentar. Duke parë këto ngjarje, si mendon se është gjendja në PD, cili do të jetë aksioni?
Kadilli: Për fat të keq kemi parë një radikalizim, ekstrem teatral deri në limite të papranueshme. Kjo e shkatërron shansin që opozita të kthehet në alternativë. Jemi në Parlament për të dhënë ide dhe sherri nuk është alternativë.
/vizionplus.tv





