50 vjeçari me iniciale I.Q është proceduar në gjendje të lirë nga Policia e Durrësit, pasi u kap duke shitur gjakun e dhuruar nga qytetarët për 5 mijë lekë.
Në një njoftim për media, policia bën me dije se nën hetim është edhe shtetasi me iniciale A.S 45 vjeç.
Ata akuzohen për veprat penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës
Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, në të cilën shfaqet një mjek i Bankës së Gjakut në spitalin e Durrësit, i cili kundrejt pagesës 5000 lekë të rinj, ndihmon një paciente për të marrë shërbimin e transfuzionit të gjakut të dhuruar nga qytetarë të ndryshëm, ju bëjmë me dije se:
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës, pas transmetimit të pamjeve, referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit I. Q., 50 vjeç, banues në lagjen nr. 1, Durrës, me detyrë Teknik gjaku, në spitalin rajonal të Durrësit, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe A. S., 45 vjeçe, banues në lagjen nr. 17, Durrës, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Policia e Shtetit falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë raste të paligjshmërive të ndryshme, si dhe i siguron ata se strukturat vendore dhe qendrore të Policisë, do të reagojnë menjëherë me qëllim nxjerrjen e autorëve, përpara përgjegjësisë ligjore.