Policia e Fierit ka zbardhur disa raste të vjedhjes së banesave në kuadër të operacionit “shëtitësit”. Në pranga kanë përfunduar tre persona, autorë të dyshuar të vjedhjeve.
Sipas policisë u arrestuan shtetasit F. Gj., 43 vjeç, banues në Gjirokastër, D. A., 31 vjeç, banues në Gjirokastër dhe I. I., 41 vjeç, banues në Tepelenë.
Këta shtetas u kapën në flagrancë në qendër të Patosit, duke lëvizur me një automjet. Gjatë kontrollit fizik, njërit prej tyre, shtetasit F. Gj., iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde narkotike cannabis sativa.
Në vijim, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit D. A., iu gjet dhe iu sekuestrua një tjetër sasi lënde narkotike cannabis sativa.
Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se këta shtetas, në datat 05 dhe 06 gusht, në lagjen “1 Maji” dhe në fshatin Dukas, Patos, kanë vjedhur në dy banesa, ku kanë marrë bizhuteri floriri, 3500 euro, si dhe dy aparate celularë.
Po nga hetimet rezulton se këta shtetas, më datë 9 shtator, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë tentuar të vjedhin në dy banesa në fshatin Zharrëz, Patos.
Policia bën me dije se vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, si dhe për zbardhjen dhe dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjeve ku ata mund të jenë të përfshirë në qarkun Fier dhe Gjirokastër.
Ndaj të arrestuarve rëndon vepra penale “Vjedhja”, si dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.





