Sherri me armë zjarri në Laç, ndërron jetë në spital 24-vjeçari

Një ditë pas përplasjes me armë zjarri në qytetin e Laçit, ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës 24-vjeçari Gerald Bitri, i cili ishte një nga pesë personat e plagosur në ngjarjen e ndodhur mesditën e së shtunës.
I riu nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të rënda në zonën e legenit dhe ka ndërruar jetë gjatë natës.
Përveç tij, të plagosur mbetën edhe Amarildo Ndoj, Liridon Ismaili, Daniel Gjeloshi dhe Angjelina Gjezaj, kjo e fundit një shitëse ambulante 58-vjeçare, e cila u godit aksidentalisht nga një plumb në këmbë teksa tentonte të ndalonte përleshjen.
Sipas hetimeve paraprake, sherri kishte nisur që më 2 maj për një incident të vogël rrugor, i cili më pas ka degjeneruar në një përplasje fizike dhe më pas me armë zjarri, mesditën e së shtunës. Gjatë konfliktit u përdorën dy armë zjarri (pistoleta), një përforcues grushti si dhe dy automjete, të cilat janë sekuestruar nga policia si prova materiale.
Policia ka arrestuar në flagrancë dy persona të dyshuar si autorë të përfshirë në këtë ngjarje: Daniel Gjeloshi, 27 vjeç (i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën), dhe Klevis Ndreca, 28 vjeç. Ata akuzohen për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”.
Arma e përdorur në këtë ngjarje është gjetur e hedhur në një pellg me ujë pranë një pallati në ndërtim dhe është sekuestruar nga policia si provë materiale.
/vizionplus.tv




