Pas thirrjes së regjisorit Edmond Budina për mosbindje civile dhe kërkesës drejtuar presidentit Ilir Meta për shpërndarje parlamenti, ka ardhur reagimi i kryeministrit Edi Rama.

Në një postim në “Twitter”, kreu i qeverisë iu drejtua Budinës duke i thënë se nuk mund të shajë dhe të ofendojë njësoj si partitë e opozitës.

“Dy fjalë njeriut të mirë Edmond Budina: Je në të drejtën tënde të vazhdosh të mendosh ndryshe nga Robert Ndrenika, Luftar Paja, Gëzim Kame, Viktor Zhusti, Ruzhdi Pulaha, Pirro Milkani, Albert Minga, Altin Basha e plot të tjerë që janë historia e vjetër dhe e re e skenës kombëtare. Je në të drejtën tënde të mendosh njësoj si partitë e atyre që s’kanë ngulur një gozhdë për artin, kulturën, teatrin e donin ta kthenin edhe TK në zgjatim të politikës së tyre me bishtin kular në këmbët e Shqipërisë, ku çdo punë e jona përbaltet me fjalorin ekstrem të vulgaritetit. Por ty nuk të takon të shash, fyesh e shpifësh njësoj si ata e as nuk ke të drejtë t’i imponohesh vullnetit të qeverisë, bashkisë apo shumicës së komunitetit teatror, sepse sharjet e fyerjet s’janë art, shpifjet s’janë trashëgimi kulturore dhe demokracia nuk është teatër absurd. Unë s’jam as shenjt e as i pagabueshëm dhe nuk ndal dot askënd të më pikturojë si djall, por unë kam lidhje autorësie me punët e zeza që më akuzoni, po aq sa ç’kanë lidhje me Shekspirin dhe Molierin ato partitë që u ngulën tek teatri si në sheshin e radhës për përsheshin e radhës!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *