Reshjet e shiut të rëna gjatë gjithë natës dhe orët e para të kësaj të premteje kanë krijuar probleme në aksin rrugor nacional Burrel-Skuraj.
Në segmentin e Shkopetit pati shembje të një masivi shkëmbor i cili bllokoi njërin kah të lëvizjes së automjeteve nga Burreli në drejtim të Milotit.
Megjithatë nuk u pengua kalimi i makinave ndërsa firma mirëmbajtëse ndërhyri menjëherë duke bërë të mundur largimin e gurëve.
Segmenti i Shkopetit në rrugën nacionale Burrel-Skuraj vazhdimisht është problematik me rënien e gurëve apo masiveve shkëmbore pasi në të gjithë gjatësinë e tij mungojnë rrjetat mbrojtëse apo pengesat e tjera për rënien e gurëve në rrugë.
Ndërkohë erërat e forta kanë shkaktuar edhe rrëzimin e disa pemëve në rrugën “Martin Camaj”, pranë pallatit 8-katësh, duke bllokuar përkohësisht qarkullimin në shkodër.
Ndërmarrja e Shërbimeve Publike, ka ndërhyrë për pastrimin dhe lirimin e segmentit rrugor, duke mundësuar kalimin e sigurt të mjeteve dhe qytetarëve menjëherë.
Ndërsa në Bashkinë Fushë-Arrëz, reshjet me intensitet të lartë kanë shkaktuar rënie inertesh në segmentet rrugore Fushë Arrëz-Fierzë dhe Fushë Arrëz-Iballë.







