Në 112-vjetorin e Pavarësisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës uruan Shqipërinë duke theksuar marrëdhënien e ngushtë mes dy vendeve dhe nevojën për paqe dhe siguri.
Antony Blinken, Sekretar i Shtetit të SHBA: Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i shpreh urimet tona më të mira popullit të Shqipërisë teksa ju festoni 112-vjetorin e Pavarësisë. Marrëdhënia e ngushtë midis kombeve tona është e ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta demokratike dhe një dëshirë reciproke për paqe dhe siguri.
Ambasada amerikane nga ana tjetër zgjodhi një mënyrë të veçantë për të uruar shqiptarët. Jakob Curatola-Wozniak, një amerikan që po shërben në vendin tonë dhe po mëson shqip, intepretoi himnin kombëtar.
“Unë e mësova himnin përmes wikipedias dhe duke parë video herë pas here derisa të mësoja të gjitha fjalët. Mendoj se është një himn shumë i bukur dhe tregon shpresën e Shqipërisë. Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Shqipëri!”, tha ai.
Edhe ambasadori i BE, Silvio Gonzato uroi Shqipërinë, duke nënvizuar se ky përvjetor pavarësie e gjen vendin tonë me një hap të rëndësishëm të hedhur drejt integrimit në BE, atë të hapjes së negociatave të anëtarësimit për grupkapitullin e parë./vizionplus.tv





