Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje deputetëve që të përmbushin përgjegjësitë e tyre ndaj popullit të Kosovës duke marrë pjesë në votimin për zgjedhjen e presidentit, për të siguruar një kuorum.

“Pozicioni i qeverisë amerikane mbetet i pandryshuar. Ne mbështesim votimin në Kuvend. U bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të përmbushin përgjegjësitë e tyre ndaj popullit të Kosovës duke marrë pjesë në votim për të siguruar një kuorum”, thuhet në një postim në Twitter të ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.

Në Kuvendin e Kosovës po mbahet seanca e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për postin e presidentit është Vjosa Osmani, e cila në këtë garë, për kundërkandidat do të ketë Nasuf Bejtën.

Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Si zgjidhet presidenti?

Për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave e që i bie 80 vota të deputetëve.

Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Pro votimit të Osmanit janë deklaruar komunitetet joserbe, ndërsa partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë shprehur kundër. Lista Serbe nuk është deklaruar.

Ish-partia e Osmanit, Lidhja Demokratike e Kosovës, që është në opozitë, gjatë kësaj jave ka thënë se do të marrë pjesë në votimin e presidentit.

Megjithatë, ende nuk është e qartë se si do të veprojnë deputetët e LDK-së, pavarësisht vendimit të kryesisë së kësaj partie që të mos bëjnë pengesa në zgjedhjen e presidentit.

Përplasjet për propozimin e ndryshimit të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme

Gjatë ditës së premte dhe të shtune kishte përplasje mes partisë në pushtet dhe atyre opozitare, pasi Qeveria e Kosovës procedoi në kuvend shqyrtimin e ndryshimeve të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Kuvendi u mblodh të premten në mbrëmje në një seancë, mirëpo kërkesa që shqyrtimi i tij të bëhet me procedurë të përshpejtuar nuk kaloi, pasi opozita votoi kundër.

Ndryshimet e ligjit do t’i mundësonin diasporës të votojë në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës nëpër botë.

Por, të shtunën, ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Glauk Konjufca, përmes një deklarate për media tha se ka marrë garancën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kandidatës së Vetëvetëndosjes për presidente të Kosovës, Vjosa Osmani se “gjithçka që ka të bëjë me Ligjin për zgjedhjet, do të jetë pjesë e një procesi të ardhshëm dialogimi mes mazhorancës dhe opozitës dhe se bashkë do ta bëjmë dhe përmbyllim reformën zgjedhore”.

Ndryshe, LVV-ja ka 58 ulëse në kuvend, kurse Lidhja Demokratike e Kosovës i ka 15. Partia Demokratike e Kosovës ka 19 deputetë dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka tetë deputetë. Nga komunitetet, Lista Serbe, në zgjedhje i ka fituar dhjetë ulëset e garantuara; dy ulëse i ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe nga një ulëse kanë fituar partitë boshnjake Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Unioni Socialdemokrat, sikurse edhe Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës./ REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *