SHBA: Turqia nuk mund të jetë më pjesë e programit F-35

Administrata e Presidentit Trump ka theksuar se Turqia nuk mund të jetë më pjesë e programit të avionëve amerikanë F-35.
Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë bëhet me dije se vendimi i Turqisë për të blerë sistemin rus të mbrojtjes ajrore S-400 e bën të pamundur vazhdimin e përfshirjes së vendit në programin F-35.
Ndërkohë SHBA nuk ka cilësuar në mënyrë të drejtpërdrejtë se Turqia do të hiqet nga programi i avionëve F-35, por Pentagoni pritet ta bëjë këtë. Turqia prodhon komponente të shumta për avionin e tipit Stealth, i cili shitet në shumë vende të botës. Nëse Turqia largohet nga programi, siç pritet, Shtetet e Bashkuara do të duhet të gjejnë furnizues alternativë për pjesët e avionit.
Ndërkohë më parë presidenti Donald Trump kishte njoftuar se blerja e sistemit rus S-400 nënkupton se Turqia nuk do të lejohet të blejë asnjë aeroplan F-35.
Ndërsa vlen të theksohet se SHBA akoma nuk ka njoftuar nëse do të vendosë sanksione ekonomike ndaj Turqisë për vendimin e saj. Mosmarrëveshja me Turqinë për blerjen e një sistemi rus armatimi është shenjë e një ndarjeje më të thellë midis Ankarasë dhe aleatëve dhe partnerëve të saj perëndimorë.




