SHBA: Strategji e re për sistem hapësinor mbrojtjeje nga raketat

Presidenti Donald Trump duket se po punon për nje projekt të ri në lidhje me një strategji të re për një sistem hapësinor të mbrojtjes nga raketat.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, pritet që Trump të zbulojë detajet e asaj që njihet si Rishikim i Programit të Mbrojtjes me Raketa, në Pentagon. Pas rishqyrtimit dilet në përfundimin se ushtria amerikane duhet të zgjerojë dhe përmirësojë teknologjitë e mbrojtjes me bazë në hapësirë për t’iu kundërvënë sistemeve të sofistikuara të armëve të prodhuara nga Rusia, Kina, Koreja e Veriut dhe Irani.
Ndërkohë një zyrtar i lartë i administratës u tha gazetarëve të mërkurën se strategjia parashikon vendosjen e sensorëve në hapësirë për t’iu përgjigjur më shpejt lëshimit të raketave armike si dhe shqyrtimin e mundësisë së vendosjes së interceptorëve në hapësirë.
Zyrtari tha se administrata beson se zhvillimi i sistemeve të mbrojtjes në hapësirë është hap tjetër logjik për të qëndruar në avagardë ndaj kërcënimeve të jashtme.
Çdo zhvillim që lidhet me sistemet e mbrojtjes në hapësirë do të konkurronte me prioritetet e tjera ushtarake amerikane, përfshirë një gjeneratë të re armësh bërthamore, për të cilat janë caktuar miliarda dollarë shtesë.




