Pas 9 orë negociatash me ndihmën e faktorit ndërkombëtar ende nuk ka një marrevëshje mes mazhorancës dhe opozitës për reformën zgjedhore.

Këtë herë bisedimet u zhvilluan në rezidencën e ambasadës amerikane dhe ambasadorja e SHBA Yuri Kim, ambasadori i BE  Luigi Soreca dhe ambasadori i Britanise Duncan Norman tentuan të gjejnë konsensus mes negociatorëve të opozitës Oerd Bylykbashi e Petrit Vasili dhe socialistit Damian Gjiknuri e deputetes Rudina Hajdari.

Në fund të takimit diplomatët inkurajuan palët të arrijnë një marrëveshje, por ambasadorja amerikane theksoi se për cështjet që nuk janë pjesë e rekomandimeve të  ODIHR, nëse nuk ka konsensus palët duhet të tërhiqen.

YURI KIM

“Që të tre ne ambasadorët kemi shpenzuar 9 orë me anëtarë e këshillit politik. Ka qenë ditë e gjatë dhe e vështirë, por është bërë përparim. Kjo ka qenë e vështirë për të gjitha palët e përfshira. Të gjithëve i është kërkuar që të japin që Shqipëria të fitojë. Shqipëria, aleati dhe miku ynë është në një fazë kritike të historisë së saj. 25 marsi ishte një pikë kthese. Është një votë për të ardhmen e Shqipërisë në Evropë.  Sikurse jeni në dijeni BE ka vendosur një sërë kushtesh, që Shqipëria të nisë negociatat për në BE, mes tyre është reforma zgjedhore që është në përputhje me rekomandimet e ODIHR. Qëllimi ynë sot dhe nesër, sepse do të ritakohemi përsëri nesër është që Shqipëria të përmbushë rekomandimet e ODIHR në mënyrë që Shqipëria të jetë anëtarë në BE. Nëse partitë do të arrijnë në konsensus për masa që shkojnë përtej rekomandimeve të ODHIR ne do të jemi dakord. Por nëse konsensusi për këto pika, të cilat ODIHR ka kërkuar nuk arrihet atëherë palët nuk duhet t’i vazhdojnë më këto kërkesa”

LUIGI SORECA

Patëm një ditë shumë të mirë pune së bashku, ku bashkëshoqëruam punën e anëtarëve të këshillit politik. Për BE është e rëndësishme që të mund të përmbushen kushtet dhe të nis procesi i anëtarësimit të vendit sa më shpejtë. Kufijtë janë vendosur nga OSBE/ODIHR-in dhe këtë po kërkon dhe BE nga Shqipëria. Shumë shpejt Komisioni Europian do të prezantojë kornizën negociuese dhe një arritje për reformën zgjedhore do ta bëjë më lehtë këtë punë. Falenderoj palët për qasjen e tyre konstruktive dhe i ftoj që të vazhdojnë më të njëjtën qasje konstruktive dhe nesër. Të mos e shpërdorojmë vrulli që arritëm, sepse para së gjithash është në interes të shqiptarëve dhe të ardhmes së Shqipërisë në BE

DUNCAN NORMAN

Këshilli politik u krijua për të përfunduar reformën zgjedhore dhe sot është bërë një përparim i mirë, por ka ende punë për të bërë. Është thelbësore që këtë ta përfundojnë nesër, jo vetëm që Shqipëria të vazhdojë rrugën e saj drejt BE por edhe votuesit shqiptar  të kenë zgjedhje të lira herës tjetër. Le të përfundojmë punën”

Nesër në orën 11.00  katër negociatorët e këshillit politik do të mblidhen sërish me ambasadorët në rezidencën amerikane duke bërë një përpjekje të fundit për konsensus.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *