Moska zyrtare ka paralajmëruar se rreziku i një konflikti të armatosur gjithëpërfshirës në Ukrainën juglindore është jashtëzakonisht i lartë dhe po bëhet një çështje shqetësuese për Rusinë.

 

Reagimi vjen pasi tensionet ndërkombëtare mbi rajonin e shkatërruar nga lufta në Donbass, janë rritur ndjeshëm.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, takohet sot me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov në Stokholm, duke paralajmëruar Moskën që t’i japë fund prezencës ushtarake afër kufirit me Ukrainën.

Ndërsa Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka sugjeruar se secili vendim i Shteteve të Bashkuara për veprimet e Rusisë ndaj Ukrainës, do të merret në konsultim me komunitetin ndërkombëtar. Ai i ka kërkuar Moskës që të jetë transparente për prezencën ushtarake.

Ukraina – e cila synon të bëhet anëtare e NATO-s, hap që është kundërshtuar ashpër nga Moska – ka thënë se Rusia është duke mbajtur mijëra trupa dhe pajisje të rënda afër kufirit të përbashkët, situatë që ka rritur shqetësimet për pushtim të mundshëm.

Rusia aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë në vitin 2014 dhe përkrah separatistët që luftojnë kundër Kievit në luftën që ka lënë të vdekur më shumë se 13,000 njerëz në shtatë vitet e fundit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *