SHBA, protesta masive kundër armëve

Një muaj pas masakrës në një shkollë të mesme në Florida, ku 19 vjeçari Nikolas Cruz vrau 17 vetë, dhjetëra mijëra nxënës e mësues janë vënë në krye të një lëvizjeje mbarë kombëtare me thirrjet për kontroll më të fortë mbi armët.
Shteti i Floridës ka reaguar duke miratuar një javë më parë rritjen e moshës minimale nga 18 në 21 vjeç për të drejtën e blerjes së armës.
Në të gjithë vendin janë planifikuar rreth 3 mijë protesta, një pjesë e mirë e të cilave u organizuan me miratimin e drejtorive të shkollave. Ndërkaq, shumë të rinj u mblodhën edhe përpara Shtëpisë së Bardhë e Kongresit me thirrjet për masa më të forta për kontrollin e armëve.
Presidenti Trump ka udhëzuar Departamentin e Drejtësisë të hartojë rregullore te re për shitjen e armeve. Po ashtu shefi i Shtëpisë se Bardhe është shprehur se nevojitet pajisja e mësuesve me armë, si dhe stërvitja e tyre për të qëlluar dhe asgjësuar individë të rrezikshëm në mjediset shkollore.
Më 24 mars pritet që në Uashington të mblidhen qindra mijëra vetë për të protestuar nën parullën” Jetët Tona”, me thirrjet për masa që mbrojnë nga dhuna me armë zjarri qytetarët dhe sidomos nxënësit.




