Nuk ekziston ndonjë plan sekret për shkëmbim territorësh në mes të Kosovës dhe Serbisë, siç “kanë spekuluar disa”, është thënë në një deklaratë të përbashkët të të dërgurit të Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ambasadorit amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett dhe të dërguarit të Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer.

Ata u kanë thënë liderëve të Kosovës që këto kohë të paqarta të veprojnë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe të ndjekin sundimin e ligjit.

“I dërguari presidencial, Richard Grenell nuk ka parë dhe as diskutuar kurrë një plan të tillë. Fokusi i Qeverisë amerikane në të mbështeturit e marrëveshjeve të fundit për të rikthyer linjat ajrore, rrugore dhe hekurudhore në mes të Kosovës dhe Serbisë synon të përmirësojë ekonominë dhe të krijojë momentum të ri ekonomik”.

Sipas zyrtarëve amerikanë, “ky momentum do të krijojë enegji të re në procesin e dialogut dhe do të mund të çonte në njohje të dyanshme”.

Ata po ashtu u kanë bërë thirrje liderëve të Kosovës që të heqin plotësisht tarifën 100 për qind ndaj importeve të Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

“Ne besojmë se tarifat janë duke dëmtuar popullin e Kosovës, duke penguar bashkëpunimin rajonal kundër sëmundjes Covid-19 -duke përfshirë vonesat që po krijohen për hyrje në Kosovë të pajisjeve që duhen- si dhe janë duke penguar rritjen ekonomike.

Megjithatë zyrtarët amerikanë kanë thënë se janë “ të përkushtuar që të punojmë se secilën qeveri që formohet përmes procesit kushtetues”, është thënë në deklaratë.

Kjo deklaratë e zyrtarëve të SHBA-së vjen një ditë pasi Kuvendi i Kosovës ka rrëzuar qeverinë e kryeministrit, Albin Kurti, përmes një mocioni të mobesimit të nisur nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Përgjatë seancës, kryeministri në detyrë i Kosovës Kurti tha se ky mocion i mosbesimit ka ardhur për për shkak të pazareve të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për shkëmbim territorial me Serbinë.

“Jam i bindur që ka marrëveshje praktikisht këtë ma ka konfirmuar edhe presidenti në takim që ishim”, ka thënë Kurti.

“Ky mocion mosbesimi synon ta lë popullin pa qeveri, atë qeveri që ata e kanë votuar. Për bindjen time të fuqishme motori për të shkakruar qeverinë nuk ka të bëjë as shkarkimin e minstrit Veliu e as me tërheqjen e trupave amerikane, por ka të bëjë asgjë më pak me një marrveshje të gatshme për shkëmbim territorial midis Kosovës dhe Serbisë, ky është motorri që po e shkakton këtë nxitim në Kosovë”, ka shtuar ai.

Sipas tij, ‘ky pazar presidencial e kërkon rrëzimin e qeverisë’.

“Motori i kësaj është si të largohet kjo qeveri në mënyrë që t’i hapet shpalljes së gjendjes së jashtzakonshme dhe pazarit të gatshëm për shkëmbim territorial”, ka deklaruar mes tjerash ai.

Qeveria e Kosovës është rrëzuar me 82 vota për 32 kundër dhe një abstenim./Radio Europa e Lire

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *