“Deklarata e Izraelit se një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila kërkoi armëpushim të menjëhershëm në rripin e Gazës, i ka penguar bisedimet për lirimin e pengjeve, është e pasaktë dhe e padrejtë”.

Kështu ka deklaruar zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller, në një konference për mediat.

“Ajo deklaratë, që tha se Hamasi u tërhoq nga bisedimet e pengjeve ose Hamasi hodhi poshtë propozimin më të fundit për shkak të rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ajo deklaratë është e pasaktë në pothuajse çdo aspekt dhe është e padrejtë për pengjet dhe familjet e tyre. Shtetet e bashkuara nuk do të përfshihen i në shpërqendrime retorike për këtë çështje. Ne do të vazhdojmë të punojmë për të sjellë pengjet në shtëpi”, tha Miller.

Miller tha se Hamasi e përgatiti përgjigjen ndaj propozimit të Izraelit për lirimin e pengjeve para se të votohej rezoluta e Këshillit të Sigurimit dhe jo pas saj.

Zëdhënësi i DASH ka folur po ashtu edhe për marrëdhëniet mes ShBA-ve dhe Izralit pas anulimit të vizitës së Netanjahut në Uashington.

“Ne nuk do të marrim vendimet tona bazuar në mosmarrëveshje të vogla ose nëse dikush ka anuluar një takim apo jo. Ne do t’i marrim vendimet tona bazuar në atë që besojmë se është në interesat më të mira të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Ne po flasim me ta për atë që besojmë se është në interesat e sigurisë kombëtare të Izraelit, rajonit si dhe në interes të popullit palestinez dhe të tjerëve”, tha Miller.

Por pavarësisht thirrjeve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së e për armëpushim, Izrali nuk i ka ndalur bombardimet edhe në muajin e shenjtë të Ramazanit. Situata humanitare mbetet e rëndë, ndërsa të paktën 32.414 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 74.000 të tjerë janë plagosur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *