Shërbimi i Sigurisë Diplomatike (DSS) dhe Shërbimi i Ndihmës së Antiterrorizmit ATA (programe të Departamentit të Shtetit të SHBA-së), në bashkëpunim me Zyrën Rajonale të Sigurimit, në ambasadën e SHBA-së, në Tiranë, kanë dhuruar për Policinë e Shtetit, pajisje me vlerë rreth 385 000 dollarë.

 

 

Donacioni iu dorëzua Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, nga Zëvendës Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, z. Demian Smith dhe Shefja e Zyrës së Sigurisë Rajonale në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, Karen Riley.

 

 

Drejtori i Përgjithshëm ka falënderuar z. Smith dhe znj. Riley, për donacionin me pajisje bashkëkohore, të cilat do t’i ndihmojnë punonjësit e Drejtorisë së Antiterrorit dhe të Sektorit të Ekzaminimeve Kompjuterike, në Institutin e Policisë Shkencore, në punën e tyre.

 

 

Zëvendës Ambasadori dhe Drejtori i Përgjithshëm theksuan se bashkëpunimi mes agjencive ligjzbatuese të SHBA-së, ambasadës së SHBA-së në Tiranë dhe Policisë së Shtetit, është i shkëlqyer, pasi është i ndërtuar mbi baza besueshmërie dhe vendosmërie të përbashkët në luftën ndaj krimit të organizuar dhe terrorizmit.

 

 

Ata theksuan rëndësinë e këtij donacioni, i cili vjen pikërisht në momentin e duhur për të përballuar sfidat globale, siç është tashmë edhe kërcënimi nga krimi kibernetik.

 

 

Donacioni përfshin servera dhe pajisje të ndryshme bashkëkohore për ekzaminimet kompjuterike dhe për shtimin e kapaciteteve për ruajtjen e të dhënave, me qëllim rritjen e ekspertizës në fushën e hetimit të ngjarjeve kriminale, me objekt terrorizimin, krimet e rënda dhe krimin e organizuar.

 

 

Këto pajisje do të jenë në përdorim ekskluziv nga Drejtoria e Antiterrorit dhe Sektori i Ekzaminimeve Kompjuterike në Institutin e Policisë Shkencore.

 

 

Me qëllim trajnimin e punonjësve të Policisë së Shtetit, për përdorimin e pajisjeve bashkëkohore të përfshira në donacion, do të zhvillohet një trajnim i organizuar nga ambasada e SHBA-së në Tiranë dhe nga Zyra e Sigurimit në këtë ambasadë.

 

 

Vënia në përdorim e këtyre pajisjeve nga punonjësit e Policisë së Shtetit, do të rritë kapacitetet hetimore dhe përqindjen e zbulueshmërisë së veprimtarive kriminale me objekt terrorizimin, krimet e rënda dhe krimin e organizuar.

 

 

Ky është donacioni i dytë i dhuruar brenda këtij viti, me ndërmjetësim nga Zyra Rajonale e Sigurisë në ambasadën e SHBA-së, në Tiranë. Mbështetje me donacione nga agjencitë ligjzbatuese amerikane, për strukturat e Policisë së Shtetit, ka patur edhe gjatë viteve 2019 dhe 2020. Pajisjet e dhuruara kanë mundësuar rritjen e rezultateve në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *